Shkup, 3 tetor 2021
Masat e marra nga bartësit e politikave, përfshirë edhe bankat qendrore, gjatë pandemisë mbështetën ndjeshëm likuiditetin e sektorit të korporatave, duke kufizuar kështu rreziqet lidhur me paaftësinë e tyre për pagesë. Në periudhën e ardhshme, është e rëndësishme të merren masa të synuara, të cilat do të ofrojnë mbështetje për kompanitë e shëndosha dhe të qëndrueshme, të cilat së bashku me vazhdimin e reformave strukturore, do të mundësojnë rimëkëmbje më të shpejtë nga kriza pandemike, tha guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska në ligjеratën vjetore të Institutit të Përbashkët të Vjenës (Joint Vienna Institute - JVI).

Bëhet fjalë për event jashtëzakonisht të rëndësishëm, ku mori pjesë edhe guvernatori i Bankës Qendrore të Austrisë, Robert Holzmann, si dhe drejtorë të Bankës Qendrore Evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Tema e diskutimit ishte paaftësia paguese në sektorin e korporatave në kontekstin e krizës së koronës, me vëmendje të veçantë për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Guvernatorja Angelovska-Bezhoska vuri në dukje se kriza e shkaktuar nga pandemia kishte ndikim negativ në funksionimin e sektorit të korporatave, por me intensitet të ndryshëm në varësi të strukturës së ekonomive, situatës para-pandemike dhe efektivitetit të masave monetare dhe fiskale të ndërmara. Sidoqoftë, është e dukshme që në të gjitha vendet e rajonit, përfitimi i sektorit të korporatave gjatë krizës u ul si rezultat i rënies së konsiderueshme të të ardhurave, veçanërisht tek kompanitë mikro dhe ato të vogla.
Si rezultat i stimulit të fituar përmes politikave të zbatuara, numri i kompanive të mbyllura në vitin 2020, pavarësisht nga efektet e pandemisë, po zvogëlohet - tha Angelovska-Bezhoska. Kjo është karakteristike si në nivel global ashtu edhe në rajon. Sidoqoftë, siç theksoi guvernatorja, kjo situatë mund të jetë e përkohshme dhe kërkon monitorim vigjilent.
Prandaj, me qëllim që të zvogëlohet rreziku i paaftësisë paguese të sektorit të korporatave, Angelovska-Bezhoska vlerëson se duhet të ruhet kapaciteti i fortë i sektorit bankar, në mënyrë që të mund të sigurojë mbështetje për sektorin e korporatave përmes aktivitetit të huadhënies, të vazhdohet me masat e synuara për të mbështetur kompanitë e qëndrueshme, si dhe me reformat strukturore për të rritur potencialin e ekonomive.