Shkup, 3 gusht 2023
Ndryshimet në rezervën e detyrueshme për të mbështetur më tej denarizimin dhe rritjen e normave të interesit për 0,15 pikë përqindje
Më 1 gusht 2023 është mbajtur seanca e rregullt e Këshillit të Bankës Popullore në të cilën janë bërë ndryshime në Vendimin për rezervën e detyrueshme. Mbledhje mbajti edhe Komisioni për Politikë Monetare Operative i Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan të dhënat dhe informacionet më të fundit për ekonominë e brendshme dhe botërore dhe zhvillimet më të fundit në tregjet financiare ndërkombëtare dhe vendase në kuadër të përcaktimit të politikës monetare.
Në mbledhjen e Komisionit për Politikë Operative Monetare u vendos që norma bazë e interesit e bonove të thesarit të rritet për 0,15 p.p. n ë nivelin e 6,15%. Në mbledhje u vendos edhe për rritjen e normave të interesit për depozitat e disponueshme me 0,15 p.p. kështu që interesat për depozitat njëditore dhe shtatë ditore do të jenë përkatësisht 4,05% dhe 4,10%, respektivisht. Oferta e bonove të thesarit në ankandin e rregullt është e pandryshuar dhe arrin vlerën prej 10 miliardë denarë. Vendimi për ndryshimin e normave të interesit është marrë në kushtet e stabilizimit gradual, por ka ende rreziqe, për këtë arsye është vlerësuar se ka nevojë për kujdes të mëtejshëm në udhëheqjen e politikës monetare. Duke marrë parasysh strategjinë monetare të zbatuar, gjatë marrjes së vendimeve monetare merret parasysh edhe përcaktimi i politikës së Bankës Qendrore Europiane (BQE), e cila në mbledhjen e fundit mori vendim për rritjen e mëtejshme të normave të interesit.
Shtrëngimi monetar filloi nga fundi i vitit 2021, së pari nëpërmjet ndërhyrjeve në tregun valutor, dhe më pas nga prilli i vitit të kaluar me rritje të normës së interesit për bonot e thesarit, si dhe normave të interesit për instrumentet e tjera monetare. Këto ndryshime mbështeten edhe nga ndryshimet në instrumentin e rezervës së detyrueshme, të cilat kishin për qëllim rritjen e denarizimit, në të cilën vërehen prirje pozitive. Me qëllim të forcimit të efekteve pozitive të masave të deritanishme, Këshilli i Bankës Popullore në gusht miratoi ndryshime shtesë në instrumentin e rezervës së detyruar. Me qëllim të mbështetjes së mëtutjeshme të procesit të denarizimit të bilanceve të bankave, u mor vendimi për rritja e normës së rezervës së detyrueshme për detyrimet në valutë nga 19% në 20%, rritja e normës së rezervës së detyrueshme për detyrimet në denarë me klauzolë devizore nga 50% në 100%, si dhe rritje të përqindjes së mbajtjes së rezervës së detyrueshme nga detyrimet në valutë e cila plotësohet në euro, nga 77% në 80%.
Përcaktimi monetar mbështetet edhe nga masat makroprudenciale të miratuara, respektivisht rritja e shtresës mbrojtëse kundërciklike të kapitalit, si dhe masat në lidhje me përcaktimin e pragjeve për mbikëqyrjen e cilësisë së kërkesës për kredi. Këto masa forcojnë qëndrueshmërinë sistematike të sistemit bankar, si dhe transmetimin e sinjaleve monetare.
Përsa i përket treguesve individualë të rëndësishëm për vendimet monetare, inflacioni i brendshëm vazhdon të ngadalësohet dhe në qershor 2023 u ul në nivelin njëshifror prej 9,3% (11,3% në muajin paraardhës), me ngadalësim më të moderuar edhe në inflacionin bazë. Ndryshimet e fundit të çmimeve janë në pajtim me vlerësimet e Bankës Popullore për ngadalësimin e normës së inflacionit në kuadër të ciklit të parashikimeve të prillit. Ngadalësimi i normës vjetore të inflacionit është i kushtëzuar nga ngadalësimi i rritjes së çmimeve në të tre komponentët, ku kontributin më të madh në këtë dinamikë e kanë komponentët ushqimorë dhe energjitikë. Megjithatë, inflacioni është ende mbi nivelet historike dhe inflacioni bazik sugjeron se efektet e përhapura të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve nuk janë ezauruar ende plotësisht. Në të njëjtën kohë, edhe pse ka prirje korrigjuese rënëse të çmimeve të produkteve parësore, e cila kontribuon në uljen e presioneve të brendshme inflacioniste, pasiguria e dinamikës së ardhshme të çmimeve të produkteve primare në bursa për shkak të luftës në Ukrainë, egziston akoma, gjë që imponon nevojën për kujdes.
Në pajtim me standardet ndërkombëtare, niveli i rezervave valutore në fund të muajit qershor është i përshatshëm për të ruajtur stabilitetin e kursit të këmbimit valutor. Lëvizjet e tregut të këmbimit vendas edhe gjatë tremujorit të dytë ishin të favorshme, ku Banka Popullore ka ndërhyrë me blerje e valutave në tregun valutor dhe këto prirje janë forcuar edhe gjatë muajit korrik. Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme nga sektori i jashtëm, deficiti tregtar në periudhën prill - maj 2023 është më i ulët nga pritshmëritë për tremujorin e dytë të vitit, sipas parashikimeve të prillit. Të dhënat për operacionet e këmbimit për tremujorin e dytë të vitit 2023 tregojnë flukse hyrëse neto të realizuara nga transfertat private që janë më të larta se pritshmëritë për tremujorin e dytë sipas parashikimeve të prillit.
Sa i përket aktivitetit të brendshëm ekonomik, në tremujorin e parë, rritja e aktivitetit ekonomik ishte mesatarisht më e lartë se parashikimet e Bankës Popullore, dhe të dhënat me frekuencë të lartë për periudhën prill - maj 2023 tregojnë kryesisht për rritje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik në tremujorin e dytë të vitit, por më të moderuar. Kështu, edhe në këtë periudhë ka rritje të prodhimit industrial, por njëkohësisht vërehet rënie reale vjetore e xhiros në totalin e tregtisë dhe ndërtimit, pas rritjes së tyre në tremujorin paraardhës.
Në sektorin monetar, të dhënat më të fundit të qershorit 2023 vazhdojnë të tregojnë rritje të përshpejtuar të depozitave, e cila i tejkaloi pritshmëritë, me ndryshime të favorshme në strukturën valutore dhe afatgjate, më konkretisht me rritje të kursimeve në valutën vendase dhe në terma afatgjatë. Aktiviteti kreditor është duke u ngadalësuar gradualisht, por edhe më tutje vazhdon të shënojë rritje vjetore solide, i cili është kryesisht në pajtueshmëri me parashikimet e prillit për tremujorin e dytë të vitit.
Në përgjithësi, arritjet inflacioniste në kombinim me pasigurinë nga mjedisi i jashtëm, e cila ende ekziston, kërkojnë kujdes të mëtejshëm nga politikëbërësit makroekonomikë dhe përgjigje të përshtatshme për të ankoruar pritjet inflacioniste dhe për të stabilizuar inflacionin në baza afatgjate. Banka Popullore mbikëqyr me kujdes të dhënat dhe rreziqet makroekonomike dhe është e gatshme të përdorë të gjitha instrumentet e nevojshme dhe të marrë masa që do të kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit, stabilizimin e pritjeve inflacioniste dhe për stabilitetin e çmimeve në afat të mesëm.