Shqup, 3 mund 2022
Banka Popullore zbaton politika të cilat kontribuojnë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit. Politika e stabilitetit është e një rëndësie të veçantë në një kohë kur pothuajse të gjitha ekonomitë e botës po përballen me krizë energjetike dhe presione të çmimeve, të cilat vazhdojnë akoma për shkak të luftës në Ukrainë. Kjo u theksua në takimin e guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhoskës dhe nënkryetarit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Mark Boumenit, i cili ishte pjesëmarrës në Konferencën e Tetë Hulumtuese të Bankës Popullore. Në takim morën pjesë edhe drejtori i përgjithshëm i institucioneve financiare të BERZH-it, Fransis Malizh, gjithashtu edhe pjesëmarrës në Konferencë, si dhe drejtori i BERZH-it përgjegjës për Maqedoninë, Andi Aranitasi.
Siç u theksua, pas përballjes me pasojat për ekonominë nga kriza e koronës, bota përballet me sfida të reja të cilat vijnë si pasojë e ndërprerjes së zinxhirëve të furnizimit dhe përshkallëzimit të tensioneve gjeopolitike, të cilat shkaktojnë rritje të çmimeve, veçanërisht të energjisë dhe ushqimit. Në pajtueshmëri me këtë, janë ulur pritjet për rritje të ekonomisë globale, megjithatë akoma pritet rezultat pozitiv ekonomik. Projeksionet e inflacionit në korniza globale janë rritur dhe ndodhen në nivelin e tyre më të lartë gjatë dekadës së fundit, ndërkaq, institucionet financiare ndërkombëtare parashikojnë rënie graduale të inflacionit në fillim të vitit të ardhshëm.
Guvernatorja e Bankës Popullore theksoi se, si ekonomi e vogël dhe jashtëzakonisht e hapur, ne jemi të ndikuar nga këto tendenca globale dhe vuri në dukje se me ciklin tjetër të projeksioneve të Bankës Popullore, i cili do të publikohet në maj, do të korrigjohen pritjet e rritjes dhe pritjet inflacioniste edhe në ekonominë tonë.
Ajo gjithashtu tha se politika monetare do të vazhdojë të jetë e fokusuar në zbatimin e mandatit të saj, gjegjësisht ruajtjen e stabilitetit të çmimeve.
Në takim u theksua se përpjekjet e politikëbërësve duhet të synojnë njëkohësisht zgjidhjen e sfidave aktuale, por edhe tranzicionin e gjelbër, si pjesë e reformave strukturore. BERZH-i ka projekte të gjera portofoli në vend, ndër të cilat një pjesë e konsiderueshme janë në sektorin e energjisë. U theksua se këto projekte janë të një rëndësie të veçantë për rritjen dhe qëndrueshmërinë e burimeve vendase të energjisë.