Shkup, 02 nëntor 2020
Kjo është kriza e parë në të cilën reagimi fillestar i bankës tonë qendrore është lehtësimi dhe jo shtrëngimi i politikës monetare. Për shembull, gjatë krizës financiare globale, hyrja më e ulët e kapitalit në ekonominë maqedonase dhe prirja e rritur e agjentëve ekonomikë ndaj euros, detyruan rritje të normës bazë të interesit për të stabilizuar pritjet, por kjo çoi në rritje të normave të interesit të kredive dhe ngadalësim të mbështetjes kreditore. Këtë herë është ndryshe, sepse ne u përballëm me Kovid krizën me një nivel të lartë dhe të mjaftueshëm të rezervave valutore, baza më të forta të ekonomisë dhe mungesë të çekuilibrave që shihet përmes pozicionit të jashtëm solid të ekonomisë dhe inflacionit të moderuar.
Kjo, ndër të tjera, u theksua nga guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, në panel diskutimin e guvernatorëve në konferencën virtuale „Kovid-19: Ndikimi në ekonominë reale dhe përshtatja e politikave të bankave qendrore“, të organizuar nga Shkolla Ekonomike dhe e Shkencave Politike e Londrës dhe Banka e Shqipërisë.
Në fjalën e saj, Angelovska-Bezhoska u përqendrua në politikat e bankave qendrore të rajonit gjatë krizës aktuale, duke iu referuar efekteve të arritura deri tani, si dhe sfidave të politikës monetare për periudhën e ardhshme afatmesme.
„Duke pasur parasysh seriozitetin e goditjes të shkaktuar nga pandemia, mësimet e nxjerra nga kriza financiare globale dhe disponueshmëria e paketës së mjeteve jo-konvencionale tashmë të përgatitur, këtë herë në rajon, përgjigja monetare ishte më e shpejtë dhe më e fortë, dhe në përputhje më të mirë me politikën fiskale.“ - theksoi guvernatorja.
Duke komentuar mbi efektet nga masat monetare, Angelovska-Bezhoska theksoi se, ndër të tjera, ata kontribuuan për të mos rritur kostot e financimit, gjegjësisht normat e interesit vazhduan të bien dhe vazhdoi mbështetja solide e kredisë. Në këtë mënyrë, rritja e kredisë vazhdoi të rritet në mënyrë të qëndrueshme në pothuajse të gjithë vendet e rajonit, me një normë mesatare prej rreth 6,2%, dhe në vendin tonë, siç vuri në dukje ajo, madje u përshpejtua në 7,3%.
Përndryshe, në panel diskutim, përveç theksimit se situata aktuale, si në nivel global, ashtu edhe në rajon krijon një pasiguri të theksuar, veçanërisht për shkak të kohëzgjatjes së krizës shëndetësore, u diskutuan disa segmente, të cilave, politikëbërësit në rajon do të duhet t’u kushtojnë vëmendje të veçantë në periudhën e ardhshme. Në këtë mënyrë, nevoja për forcimin e mëtejshëm të bazave ekonomike dhe qëndrueshmërinë e ekonomive nga goditjet e ardhshme u theksuan veçmas, veçanërisht duke vazhduar me zbatimin e reformave strukturore.
Gjatë konferencës virtuale, guvernatorja shkëmbeu mendime me kolegët nga bankat e tjera qendrore mbi një numër çështjesh aktuale lidhur me sfidat ekonomike të Kovid krizës, duke përfshirë rëndësinë e qasjes në likuiditetin e valutës së huaj në euro e cila iu mundësua Bankës Popullore nga Banka Qendrore Evropiane.