Shkup, 1 qershor 2021
Strategjia aktuale monetare për ruajtjen e stabilitetit të monedhës vendase në raport me euron është më optimale për ekonominë maqedonase, duke pasur parasysh karakteristikat e saj si një ekonomi e vogël dhe e hapur. Këtë vlerësim të Banës Popullore e ndan edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili çdo vit vlerëson pajtueshmërinë e kursit të këmbimit me bazat e ekonomisë tonë ose thjeshtë, vlerëson nëse niveli i kursit të këmbimit që kemi është një pengesë për një konkurrencë më të madhe të ekonomisë tonë. Përfundimi është se kursi i këmbimit nuk është pengesë dhe se konkurrenca më e madhe duhet të sigurohet përmes politikave strukturore. Fleksibiliteti më i madh i kursit të këmbimit do të ketë efekte më të shpejta transferimi mbi çmimet, gjithashtu mund të ketë efekte të pafavorshme mbi stabilitetin financiar, dhe kështu, ne qëndrojmë të palëkundur për mjaftueshmërinë e strategjisë aktuale monetare.
Kjo, ndër të tjera, u theksua nga guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, në edicionin e djeshëm të emisionit „24 analiza“ të Televizionit 24. Në kontekstin e strategjisë monetare, ajo theksoi rëndësinë e rezervave valutore të cilat janë në nivel të mjaftueshëm, dhe iu referua rëndësisë së qasjes në likuiditet në valutë të huaj në euro nga Banka Qendrore Evropiane, e cila iu mundësua Bankës Popullore për herë të parë gjatë vitit të kaluar.
Në emision, Angelovska-Bezhoska iu referua edhe parashikimeve të fundit makroekonomike të Bankës Popullore dhe pritjeve për rimëkëmbje graduale të ekonomisë maqedonase me një rritje prej 3,9% për këtë vit dhe kthimin në nivelin e para krizës gjatë vitit të ardhshëm, nëse nuk ka materializim të rreziqeve, të cilët kryesisht lidhen me rrjedhën e mëtejshme të krizës shëndetësore. Ajo gjithashtu vuri në dukje edhe rëndësinë e mjedisit të jashtëm, i cili është i rëndësishëm për rimëkëmbjen e ekonomisë së brendshme.
Në kontekst të pritjeve për këtë vit, përveç rëndësisë së aktivitetit eksportues, guvernatorja vuri në dukje edhe rëndësinë e realizimit të investimeve kapitale, për të cilat theksoi se mund të ishin një katalizator për ndryshime pozitive, si dhe se mund të kenë një efekt shumëzues, përfshirë edhe ndikimin mbi tregun e punës.
Angelovska-Bezoska gjithashtu iu referua pritjeve për investime të huaja direkte.
„Vitin e kaluar, investimet e huaja direkte u ngadalësuan, duke pasur parasysh se kishte një rënie të investimeve të huaja direkte në kontekstin global. Për këtë vit, institucionet ndërkombëtare parashikojnë stabilizimin e këtyre flukseve financiare dhe ne presim një rikuperim të investimeve. Më konkretisht, për investimet e huaja direkte, gjëja më e rëndësishme është se çfarë do të ndodhë në tregjet ndërkombëtare. Tani, tregjet financiare janë të favorshme dhe normat e interesit janë të ulëta, ndërsa vitin e kaluar, kur u përballëm me krizën, pati një shtrëngim të tregjeve ndërkombëtare dhe më pas u rritën edhe normat e interesit për huamarrje.“ - theksoi guvernatorja.
Lidhur me inflacionin, Angelovska-Bezhoska theksoi se ai është akoma i moderuar, në përputhje me vlerësimet dhe parashikimet e fundit, duke theksuar se Banka Popullore po monitoron vazhdimisht zhvillimet dhe se çmimet e produkteve primare në bursat botërore janë thelbësore, sepse shumica e shportës së konsumatorit është për ushqimin dhe energjinë.
„Vlerësimet e Bankës Qendrore Evropiane tregojnë se faktorët që kontribuojnë në ndryshueshmëri më të madhe të normës së inflacionit këtë vit janë kryesisht të një natyre të përkohshme dhe një normë e reduktuar e inflacionit parashikohet për vitin e ardhshëm. Ne jemi duke ndjekur zhvillimet dhe nëse ka nevojë për ndërhyrje për të ruajtur stabilitetin e çmimeve, ne do t’i marrim të gjitha masat e nevojshme.“ - tha Angelovska-Bezhoska.
Në emision, guvernatorja adresoi gjithashtu pyetje në lidhje me sektorin bankar dhe foli për treguesit fillestarë për tremujorin e parë të këtij viti, të cilët tregojnë qëndrueshmërinë e tij.
Lidhur me falimentimin e „Eurostandard banka“, guvernatorja përsëriti se leja e saj e punës ishte revokuar pasi ishin shteruar të gjitha mundësitë në dispozicion të bankës qendrore.
„Për çdo guvernator ose bankë qendrore nuk ka vendim më të vështirë se vendimi për të mbyllur një bankë. Një vendim i tillë bëhet pasi të jenë bërë përpjekjet maksimale dhe të jenë shteruar të gjitha mundësitë për një zgjidhje më të favorshme për bankën, veçanërisht duke pasur parasysh interesat e depozituesve. Kështu ishte edhe në këtë rast.“ - theksoi Angelovska-Bezhoska.
Në të njëjtën kohë, ajo vuri në dukje se bankat komerciale janë institucione private që vendosin për secilën hua.
„Bankat qendrore nuk japin hua, nuk vendosin për ta dhe ato kredi nuk i nënshtrohen miratimit të bankës qendrore. Kjo bankë ishte nën kontrolle të forta dhe u kontrollua shkalla e rrezikut ndaj të cilit ishte e ekspozuar. Vendimet e kredisë janë marrë nga bordet e kreditit, dhe nëse shuma e kredisë është më e lartë, vendimin e ka marrë Bordi Mbikëqyrës - tha Angelovska-Bezhoska në intervistën për Televizionin 24.
Në emision, guverntaroja gjithashtu iu referua të dhënave për aktivitetin e huadhënies dhe depozitave, si dhe pritjet për rritjen e tyre të mëtejshme në periudhën e ardhshme.
Emisionin mund ta gjeni në https://www.youtube.com/watch?v=2zP6K_PydPU&lc=UgwOA43kS-YJfr1FJtF4AaABAg