Shkup, 26 nëntor 2025
Guvernatori i Bankës Popullore, Dr. Trajko Sllaveski, nga njëra anë dhe kryetari i Bordit të Drejtorëve të NLB d.d. Lubjanë, Blaž Brodnjak, dhe anëtari i Bordit të Drejtorëve të NLB d.d. Lubjanë, Antonio Argir, nga ana tjetër, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi të ndërsjellë që i mundëson Bankës Popullore të fillojë pagesat nëpërmjet SEPA-s.
Nga 9 dhjetori 2025, shteti dhe institucionet shtetërore do të jenë në gjendje të paguajnë dhe të marrin fonde në euro, në përputhje me standardet SEPA, më shpejt, më sigurt dhe me tarifa më të ulëta dhe fikse. Në vend të kostos mesatare aktuale prej 14 eurosh për pagesat përmes bankave korrespondente, pagesat përmes SEPA-s do të kushtojnë 3 euro për urdhërat elektronikë dhe 5 euro për urdhërat në letër dhe të gjitha hyrjet përmes SEPA-s do të ngarkohen me 3 euro. Duke marrë parasysh se 80% e totalit të pagesave dalëse dhe 90% e totalit të hyrjeve të shtetit janë në euro, tarifat më të ulëta do të mundësojnë drejtpërdrejt kursime më të mëdha për shtetin dhe autoritetet shtetërore.
"Me këtë hap të rëndësishëm, Banka Popullore, përveç rolit të saj rregullator dhe mbikëqyrës në sferën e pagesave, konfirmon edhe rolin e saj operativ në ofrimin e shërbimeve më të mira dhe me cilësi më të lartë për shtetin dhe autoritetet shtetërore në ekzekutimin e pagesave ndërkufitare", vuri në dukje guvernatori Slaveski.
“Jemi të nderuar që jemi përzgjedhur si banka përgjegjëse për përpunimin e pagesave SEPA për Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe i falënderojmë sinqerisht për besimin që na kanë dhënë. Kjo arritje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt integrimit më të thellë me sistemin e pagesave të Bashkimit Evropian dhe mbështet qëllimin më të gjerë të integrimit në BE. Ky moment historik bazohet në prezantimin tonë të fundit të Apple Pay për të gjithë klientët tanë në EJL dhe hyrjen e suksesshme të NLB Bankës Shkup në skemën e transferimit kreditor SEPA, duke forcuar më tej angazhimin e Grupit NLB për të nxitur zhvillimin financiar dhe inovacionin në Maqedoninë e Veriut”, tha Blaž Brodnjak, kryetar i Bordit të Drejtorëve të NLB d.d. Lubjanë.
Pas anëtarësimit të vendit tonë në SEPA, i cili tashmë u ka mundësuar qytetarëve dhe kompanive të kryejnë pagesa më të shpejta, më të sigurta dhe më të lira në euro, Banka Popullore, si bankieri i shtetit, u mundëson gjithashtu institucioneve shtetërore të përdorin përfitimet e SEPA-s. Në këtë mënyrë, do të bëhen të mundura kursime të konsiderueshme për shtetin dhe institucionet shtetërore kur kryejnë pagesa ndërkufitare në euro me dyzet vendet anëtare të SEPA-s.