Kreditë me probleme janë ndër termat bazë të përdorura në analizën e operacioneve të bankave dhe rreziqeve bankare. Këto janë kredi, për të cilat, në thelb, pagesa nga ana e klientëve është me vonesë të caktuar kohore. Zakonisht, rregullatori përcakton saktësisht kohën e vonesës nëpërmjet të cilës një kredi përfshihet në grupin e kredive me probleme. Më shpesh, është një vonesë prej 90 ditësh ose më shumë.
Në përputhje me rregullativën dhe kërkesat e rregullatorit, secila bankë duhet të veçojë provizione për këto kredi me probleme, ose thjesht rezerva për të mbuluar humbjet nga mos pagesa e mundshme e kredisë. Zakonisht, me rritjen e vonesës, rriten edhe provizionet e kërkuara. Këto provizione janë një kosto për bankën dhe ndikojnë mbi fitimin e saj, dhe në fund edhe mbi kapitalin e saj, ose nevojën e vlerësuar për kapital shtesë.
Nga ana e rregullatorit, që në vendin tonë është Banka Popullore, me këtë kërkesë rregullatore u tregohet qartë bankave se duhet të kujdesen për pagesën e rregullt të kredive dhe të ndajnë provizione përkatëse, të cilat në fund të fundit do t’i mbrojnë bilancet e bankave, dhe natyrisht depozitat e klientëve.
Çfarë nënkuptojnë kreditë me probleme nga këndvështrimi i klientëve të cilët vonohen në shlyerjen e kredisë? Rregullsia e klientëve në lidhje me pagesën e kredisë së marrë është pjesë e historiatit të kredisë për atë klient dhe i njëjti është i regjistruar në Regjistrin e Kredisë të Bankës Popullore, si dhe në Biron Maqedonase të Kreditimit.
Zakonisht, raporti i historiatit të kredisë, përkatësisht rregullsisë së pagesës së kredive aktuale dhe atyre të mëparshme është një nga dokumentet themelore që kërkohet nga bankat kur marrin një kërkesë për kredi. Si pasojë, pagesat e parregullta të kredive çojnë në uljen e perspektivave për marrjen e një kredie të re. Për këtë arsye, është në interesin e klientëve të kujdesen për çdo huamarrje të re dhe gatishmërinë për pagesë në kohë të kredive të marra.
Bankat dhe vetë klientët duhet të kujdesen për pagesën e rregullt të kredisë, në mënyrë që ajo të mos bëhet me probleme. Sidoqoftë, nëse për ndonjë arsye kjo ndodh, ekziston mundësia për ristrukturim të kredisë kur klienti përballet ose është e qartë se do të përballet me vështirësi financiare. Ristrukturimi zakonisht bëhet duke ndryshuar një nga kushtet themelore të kredisë (shtyrje të pagesës së kryegjësë dhe/ose interesit, ulja e normës së interesit, vazhdim të maturitetit të kredisë etj.) në mënyrë që të ndihmojë klientin i cili papritur e gjen veten në një situatë të vështirë financiare dhe është vonë me pagesat. Me lehtësimet e tilla, jepet mundësia që kredia të kthehet në dinamikën e rregullt të pagesës.
Çfarë duhet të dini për kreditë me probleme të bankave?
Kredi me probleme përcaktohen zakonisht si kredi në të cilat vonohet pagesa nga klienti, që zakonisht përcaktohet si vonesë prej 90 ditësh ose më shumë. Bankat duhet të kujdesen për të parandaluar ose zvogëluar kreditë e këtilla, pasi ata imponojnë rreziqe në operacionet e tyre. Zakonisht, pjesa më e vogël e kredive me probleme në totalin e kredive është një tregues për ndërmarrje më të ulët të rreziqeve nga bankat, edhe pse ekzistojnë edhe faktorë tjerë që duhet të merren parasysh gjatë analizës së bankave. Gjithashtu, rregullatori kujdeset për sjelljen e duhur të bankave në mënyrë që të mbrojë pasuritë e tyre, përmes kërkesave të përshtatshme rregullatore. Nga ana tjetër, klientët duhet të kujdesen për pagesa në kohë të kredive të marra, si për të ruajtur perspektivën për huamarrje në të ardhmen, ashtu edhe për të menaxhuar siç duhet borxhet e tyre.