Njoftim nga MIA
Shkup, 24 prill 2021, (MIA) – „Central Banking“, shërbimi kryesor global i informacionit për veprimtarinë e bankave qendrore dhe financat, veçoi tre nga shtatëmbëdhjetë guvernatoret e botës të cilat, megjithë sfidat e mëdha që përballen, trajtojnë me sukses krizën në arritjen e objektivave dhe detyrave të bankës qendrore - ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, stabilitetit të kursit të këmbimit të monedhës vendase dhe stabilitetit financiar. Midis tre guvernatorëve-gra të veçuara është edhe guvernatorja Anita Angelovska-Bezhoska dhe përveç saj janë edhe guvernatoret e bankave qendrore të Rusisë dhe Serbisë - Elvira Nabiulina dhe Jorgovanka Tabakoviç.
Në analizën e „Central Banking“ për vendin tonë është theksuar se bankat, megjithë sfidave makroekonomike dhe sistemike gjatë vitit të kaluar, mbetën likuide, të kapitalizuara mjaftueshëm dhe fitimprurëse, kreditë me probleme ranë në nivelin më të ulët historik, ndërsa depozitat vazhduan të rriten.
– Krahasuar me vitin 2008, tani, në vend të shtrëngimit të politikës monetare, për të shmangur një ngadalësim të huadhënies, banka qendrore uli normën e interesit, injektoi likuiditet në sistemin bankar, uli rezervimet e bankave për kreditimin e sektorëve të prekur nga kriza dhe me ndryshimet rregulatore mundësoi shtyrjen e pagesave të kredive për huamarrësit e prekur nga kriza. Bankat përbëjnë 82% të sistemit financiar dhe janë thelbësore për transferimin e politikave në të gjithë sistemin financiar, theksojnë nga „Central Banking“.

Ata vlerësojnë se vitin e kaluar, ndërhyrjet e Bankës Popullore ndihmuan që lëvizjet e pafavorshme në tregjet financiare ndërkombëtare të mos transferohen në tregun e brendshëm në vendin tonë.
– Në të kaluarën, një nga arsyet që Maqedonia e Veriut shmangu dridhjet është se huazimi ishte kryesisht nga burimet e brendshme. Rritja është më e ngadalshme, por më stabile dhe më e qëndrueshme, thotë analiza.
„Central Banking“ gjithashtu i referohet edhe jetëshkrimit të Angelovska-Bezhoskës, dhe arritjeve të saj përmes punës në FMN dhe Ministrinë e Financave. Duke bërë këtë, është përmendur se ardhja e Angelovksa-Bezhoskës në pozicionin e guvernatorit është pas një procesi të gjatë të fitimit të njohurive të mëdha, sakrificave të shumta dhe fitimit të përvojës së madhe në institucionet vendase dhe të huaja.
Analiza gjithashtu theksoi edhe vendimet e vështira që duhej të merreshin nga guvernatoret dhe institucionet që ata drejtojnë, të cilat kishin për qëllim ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar. Shembuj tipikë të këtij lloji të vendimeve janë vendimet e Bankës Qendrore të Rusisë dhe guvernatores Nabiulina, e cila për mbrojtjen e interesit publik, nga viti 2013 në vazhdim ka marrë vendime për të mbyllur afërsisht gjysmën e bankave në sistemin bankar rus. Gjithashtu, si rezultat i mospërmbushjes së kërkesave kapitale, guvernatorja e bankës qendrore të Serbisë, Tabakoviç, në vitin 2018 ka marrë një vendim për revokimin e lejes për themelim dhe punë të një banke në Serbi, ndërsa një total i 19 bankave në vend janë në procedurë falimentimi.
Të dhënat e „Central Banking“ tregojnë se në nivel global, gratë mbajnë shumicën e pozicioneve të larta vetëm në 10 përqind të bankave qendrore. Midis tyre, si një shembull pozitiv, spikat banka jonë qendrore.
Burimi: MIA