JETËSHKRIMI
Igor Veliçkovski
Viceguvernator i Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Në karrierën e tij profesionale, viceguvernatori Dr. Igor Veliçkovski ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe modernizimin e sistemeve të pagesave dhe shërbimeve të pagesave në vend, si dhe në harmonizimin e rregulloreve me standardet europiane. Ai luajti një rol kyç në reformat e infrastrukturës së pagesave, duke kontribuar në përmirësimin e saj, përkatësisht në efikasitet më të madh, siguri dhe integrim me trendet europiane.
Vlen të përmendet veçanërisht roli i tij udhëheqës në procesin e anëtarësimit të vendit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), ku ai menaxhoi aktivitetet kryesore për përgatitjen dhe dorëzimin e aplikimit, si dhe për përfshirjen e sektorit bankar vendas në skemat europiane të pagesave.
Kontributi i tij është i rëndësishëm edhe në fushën e politikës monetare dhe tregjeve financiare, ku ka marrë pjesë në zhvillimin e instrumenteve të politikës monetare, krijimin e tregjeve të letrave me vlerë qeveritare, si dhe në zhvillimin e tregjeve monetare dhe normave referuese të interesit në vend.
Dr. Veliçkovski është një ekspert me përvojë të gjatë në fushën e bankave qendrore. Ai ka lindur më 21 mars 1976. Ai ka ndërtuar karrierën e tij profesionale në Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut që nga viti 2000, ku filloi si analist, dhe më pas përparoi në disa pozicione udhëheqëse, duke përfshirë udhëheqës të Njësisë së operacioneve të tregut të hapur (2005 – 2011), zëvendësdrejtor të Drejtorisë së Operacioneve të Tregut Financiar (2011 – 2013) dhe drejtor të Drejtorisë së Sistemeve të Pagesave (2013 – 2024), si dhe Drejtor i Sektorit të Operacioneve të Tregut Financiar dhe Sistemeve të Pagesave.
Paralelisht me karrierën e tij profesionale, ai është gjithashtu i përfshirë në mënyrë aktive në aktivitete akademike. Ai ishte profesor i rregullt në Universitetin e Kolegjit Amerikan të Shkupit (2020 - 2024), ku më parë ishte profesor i asociuar (2015 - 2020) dhe profesor asistent (2012 - 2015), i angazhuar në aktivitete mësimore dhe shkencore në fushat e makroekonomisë, ekonomisë monetare dhe tregjeve financiare.
Ka doktoruar në Universitetin e Staffordshire (Staffordshire University – Business School) në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2010. Studimet master dhe diplomimin i përfundoi në Fakultetin Ekonomik, në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Ai është autor i shumë punimeve shkencore dhe profesionale në fushën e makroekonomisë dhe financës, të botuara në revista ndërkombëtare. Është fitues i çmimit “Dr. Avramoviç” të Bankës Popullore të Serbisë për punimin më të mirë kërkimor në vitin 2012.