Shtepi > Rreth Bankës Popullore > Guvernatori > Guvernatorët e mëparshëm 


Dr. Trajko Sllaveski

Guvernator i Bankës Popullore

Dr. Trajko Sllaveski ka lindur në Ohër në vitin 1960. Ai është profesor i rregullt në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij” në Shkup, ku edhe ka diplomuar. Studimet pasuniversitare i vazhdoi në ShBA, fillimisht në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë (në vitet 1986/87), dhe më pas në Universitetin e Harvardit (në vitet 1989/90). Në vitin 1997 mori pjesë si profesor mysafir në Universitetin Shtetëror të Arizonës, Tempi, ShBA.

Në periudhën prej vitit 1999 − 2006 ligjëroi në programin pasuniversitar për Studime Juglindore Europiane në Universitetin Kombëtar Kapodistrian në Athinë, Greqi, në gjuhën angleze.

Në sferën publike, dr. Sllaveski luajti rol të rëndësishëm në zhvillimin e politikës ekonomike në vend. Dr. Sllaveski është bashkautor i Programit të parë kundër inflacionit të Republikës së Maqedonisë,  dokument kryesor për stabilizim ekonomik pas fitimit të pavarësisë në vitin 1992, i cili hodhi themelet për futjen e monedhës kombëtare - denarit.

Në karrierën e tij të pasur profesionale, dr. Sllaveski ka mbajtur pozicione të rëndësishme publike. Ka qenë ministër i Zhvillimit (1999– 2000) dhe ministër i Financave (2006 – 2009) në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, ndërsa në vitin 2021, dr. Sllaveski u zgjodh kryetar i Këshillit të Qytetit të Shkupit. Në cilësinë e ministrit të Financave, ai përfaqësoi vendin si guvernator në Bankën Botërore dhe në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Si anëtar i Qeverisë, ai nisi dhe udhëhoqi disa reforma të rëndësishme, duke përfshirë: futjen e taksës së sheshtë; modernizimin e operacioneve të pagesave; integrimin e mbledhjes së tatimit mbi të ardhurat personale dhe kontributet shoqërore në Zyrën e të Ardhurave Publike (koncepti i pagës bruto); dhe menaxhim e drejtpërdrejtë të zbatimit të politikës fiskale në kontekstin e inflacionit të lartë në vitin 2007 (rezultat i rritjes së çmimeve botërore të ushqimit dhe energjisë) dhe Recesionit të madh të viteve 2007-2009.

Ai njihet si pjesëmarrës aktiv prej kohësh në debatet publike mbi çështjet ekonomike dhe financiare. Është autor i tetë librave (në disa prej të cilave bashkautor), si dhe i shumë artikujve shkencor dhe profesional të botuar në revista vendase dhe ndërkombëtare, si dhe në media të dedikuara për publikun e gjerë.

Është i martuar dhe është baba i dy fëmijëve në moshë të rritur, dhe gjysh i dy nipërve.