Shkup, 28 janar 2021
„Me publikimin e statistikave të llogarive financiare, Banka Popullore përmbushi detyrimin e marrë me aderimin e vendit tonë në standardin më të lartë statistikor të FMN-së për shpërndarjen e të dhënave SDDS Plus, në të cilin janë pranuar vetëm njëzet vende të botës. Statistikat e llogarive financiare u aktualizuan pas Krizës financiare globale, si një burim i të dhënave për dobësitë në sektorë të caktuar të ekonomisë dhe kanalet e mundshme të transmetimit të goditjeve nga një sektor në tjetrin.“ - theksoi guvernatorja, Anita Angelovska-Bezhoska, në fjalën e saj në punëtorinë elektronike të Bankës Popullore për gazetarët, kushtuar të dhënave statistikore për llogaritë vjetore financiare të ekonomisë maqedonase.
Kjo punëtori u mbajt në kuadër të serisë së punëtorive elektronike për gazetarë të organizuara nga Banka Popullore. Statistika e llogarive financiare është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe njëkohësisht një nga statistikat më të ndërlikuara. Të dhënat në kuadër të kësaj statistike ofrojnë informacione të hollësishme për gjendjen dhe ndryshimet e mjeteve dhe detyrimeve financiare sipas sektorëve individualë, strukturës së tyre sipas instrumenteve financiare individuale, si dhe ekspozimin e ndërsjellë financiar të sektorëve individualë. Kështu, ata mund të kenë vlerë të madhe praktike në gazetarinë hulumtuese në fushën e ekonomisë.
Në punëtori, në kuadër të prezantimit, drejtoresha e Drejtorisë për Statistikë të Bankës Popullore, Sultania Bojçeva-Terzijan, përveç adresimit të rëndësisë së llogarive financiare, metodologjisë, parimeve dhe fushëveprimit të këtyre statistikave, prezantoi edhe analizë të të dhënave nga seria kohore nga viti 2013 deri në vitin 2019.
„Llogaritë financiare janë një mjet i rëndësishëm analitik për të kuptuar sjelljen e çdo sektori si huamarrës dhe kreditor, për lidhjet financiare të ekonomisë nacionale, strukturën dhe rolin e sistemit financiar dhe kanaleve kryesore për blerjen dhe investimin e fondeve financiare në ekonominë nacionale. Prandaj, llogaritë financiare janë një burim i rëndësishëm i informacioneve për bartësit e politikave ekonomike.“ - theksoi Bojçeva-Terzijan.
Siç u theksua në ngjarjen elektronike, përgatitja e llogarive financiare vjetore të sektorëve nga ana e Bankës Popullore është një bazë për tregues shtesë në kuadër të standardit më të lartë statistikore të FMN-së për shpërndarjen e të dhënave - SDDS Plus, si dhe për grupin e treguesve në kuadër të procedurës për çekuilibrime makroekonomike të BE-së. Të dhënat dhe shpjegimet metodologjike mund t’i gjeni në internet faqen e Bankës Popullore dhe aktualisht janë duke u kryer aktivitete të zhvillimit të përgatitjes së llogarive financiare - flukse dhe llogari tremujore financiare - bilancet dhe flukset.
Seria e punëtorive elektronike për gazetarë, e organizuar nga Banka Popullore filloi në korrik të vitit të kaluar. Në punëtorinë elektronike është paraparë të përpunohen tema aktuale dhe të shqyrtohen çështje të ndryshme të rëndësishme për informimin e saktë, plotë dhe në kohë të publikut për të dhënat dhe informacionet që dalin nga veprimtaria e bankës qendrore në vend. Këtë vit planifikohet mbajtja e së paku një punëtorie për çdo tremujor të vitit. Me këto aktivitete, Banka Popullore konfirmon angazhimin e saj për të forcuar transaprencën e saj dhe për të përmirësuar komunikimin me publikun.