Vendi ynë, për herë të dytë është pjesë e Kuizit Evropian të Parasë - një prej ngjarjeve më të rëndësishme ndërkombëtare, qëllimi i së cilës është edukimi financiar i të rinjve të moshave prej 13 deri 15 vjeç. Aktivitetet për realizimin e suksesshëm të garës kombëtare janë në zhvillim e sipër. Sot, në Bankën Popullore u zhvillua një takim pune me arsimtarë, profesorë dhe koordinatorë të shkollave fillore dhe të mesme të cilat u paraqitën për pjesëmarrje. Gjatë hapjes së ngjarjes fjalën e morën guvernatorja Anita Angelovska-Bezhoska, ministrja e Financave, Nina Angelovska, zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës, Elizabeta Naumovska dhe Maja Stevkova-Shterieva, kryetarja e Asociacionit Bankar Maqedonas (ABM), i cili edhe është organizator i Kuizit Evropian të Parasë në vend.
„Pas suksesit të madh në vitin e kaluar, kur përfaqësuesit tonë nacional fituan vendin e dytë në Evropë, besoj se edicionit të sivjetshëm të Kuizit, të gjithë i qasemi me një entuziazëm më të madh. Këtë e vërteton edhe fakti që numri i pjesëmarrësve të paraqitur këtë vit është konsiderueshëm më i madh.“ - tha guvernatorja Angelovska-Bezhoska, me ç’rast veçmas iu referua sfidave për përmirësimin e cilësisë së kapitalit njerëzor me të cilat ballafaqohemi. „Sipas indeksit të kapitalit njerëzor të Bankës Botërore, nëse vazhdohet me reforma gjithëpërfshirëse në sistemin arsimor dhe shëndetësor, fëmijët që lindin këtë vit, kur të mbushin 18 vjet do të mund të jetë për 50% më produktiv“ - theksoi guvernatorja. Kjo, siç tha ajo, nënkupton edhe nevojë për investime në edukimin financiar, veçanërisht në gjeneratat e kohës dixhitale.
Ministrja e Financave, Nina Angelovska, theksoi se nisma e Kuizit Evropian të Parasë sjellë më shumë përfitime nga pikëpamja e edukimit financiar, por edhe nga pikëpamja e procesit arsimor në vend. „Kjo nismë sjellë përfitime të shumta. I pari është natyrisht edukimi financiar, transferimi i njohurive të fushës së financave tek nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme. I dyti, kuizet, si një mënyrë e futjes së lojërave në procesin arsimor, mbajnë interesin e nxënësve dhe mund të transferojnë informacione në mënyrë më efikase dhe më efektive në disa raste, krahasuar me, për shembull metodat klasike. I treti, është një mënyrë e shkëlqyeshme për përmirësimin e procesit të mentorimit, gjegjësisht udhëzimin e nxënësit nga arsimtari. Ndërtimi i kapitalit njerëzor ka një rëndësi të madhe për vendin tonë, ndërsa edukimi financiar luan një rol të rëndësishëm nga pikëpamja e marrjes së vendimeve financiare.“ - tha Angelovska.
Kryetarja e ABM-së, Maja Stevkova-Shterieva, në fjalën e sajë përshëndetëse falënderoi arsimtarët dhe profesorët e shkollave fillore dhe të mesme të vendit tonë për interesin e tyre për pjesëmarrje në Kuiz. „Vitin e kaluar në thirrjen publike për pjesëmarrje në garë u paraqitën 145 klasë, përkatësisht klasa të shkollave fillore dhe të mesme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa këtë vit 279. Kjo tregon se ju keni identifikuar rëndësinë e njohurive për veprimtarinë bankare dhe financat për nxënësit, dhe nevojën për t’i zotëruar ato sa më herët“ - theksoi Stevkova-Shterieva. Ajo shtoi se e gëzon fakti që ABM-ja dhe institucionet janë të bashkuara në dëshirën për edukim financiar të gjeneratës së re, si dhe ajo që e bën veçanërisht krenare është fakti se edukimi financiar bëhet një sfidë për nxënësit në vend.
Zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës, Elizabeta Naumovska, vijoi me konstatimet se është e nevojshme që nxënësit të jenë mirë të informuar për ekzistencën dhe menaxhimin e rreziqeve financiare dhe se mosha e pjesëmarrësve në Kuiz është një periudhë ideale e jetës së secilit individ kur është e nevojshme të fillohet procesi i përvetësimit të njohurive nga fusha e financave.
„Për të kapërcyer sfidat me natyrë financiare, nevojitet edukim financiar. Ne, institucionet e sistemit në këtë fushë, institucionet arsimore dhe të gjithë aktorët e përgjegjshëm shoqërorë, jemi të detyruar t’i edukojmë financiarisht të rinjtë dhe të njëjtën jemi duke e bërë“ - porositi Naumovksa.
Në takimin e punës u prezantuan fazat individuale dhe u zhvillua një trajnim për pjesëmarrje në këtë garë jashtëzakonisht të rëndësishme në fushën e financave pas së cilës qëndron Federata Bankare Evropiane. Në vendin tonë, bartës është ABM-ja në bashkëpunim me Bankës Popullore dhe Komisioni për Letra me Vlerë, ndërsa aktivitetet realizohen me mbështetje të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Në ngjarjen e stome, rregullatorët tjerë të sistemit financiar u kyçën me prezantimet e tyre.
Gara për Kuizin Evropian të Parasë do të zhvillohet në tre faza. Në gjysmën e parë të marsit do të zhvillohen dy testime të brendshme. Më të mirët e këtyre testimeve do të marrin pjesë në garën nacionale, e cila do të mbahet me 23 mars, pas së cilës do të identifikohen fituesit - dy nxënës që do të përfaqësojnë vendin tonë në finalen e Kuizit Evropian të Parasë në Bruksel.
Numri i madh i pjesëmarrësve në Kuiz tregon se interesi për edukimin financiar është rritur ndjeshëm, veçanërisht në mesin e popullatës më të re dhe është një nxitje për të vazhduar aktivitetet në këtë fushë edhe më fuqishëm.