Deklarata e guvernatores së Bankës Popullore për „Faktor“
Shkup, 23 qershor 2020
Në të gjitha episodet e deritanishme të krizës, kursi stabil i këmbimit të denarit është faktori kryesor në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik. Nuk ka asnjë kompromis lidhur me regjimin aktual të kursit. Publiku duhet të ketë besim të plotë në angazhimin dhe aftësinë tonë për të vazhduar me sukses strategjinë ekzistuese monetare të një kursi stabil të denarit.
Kjo u theksua nga guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska, në një intervistë për portalin „Faktor“. Ajo thekson se, si nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare, ashtu edhe nga ana e bankës qendrore, disa herë është theksuar se kjo strategji monetare korrespondon plotësisht me karakteristikat strukturore të ekonomisë maqedonase dhe me angazhimin për integrim ekonomik dhe monetare në Bashkimin Evropian. „Nuk ka dyshime se kohë më parë është arritur një konsensus shoqëror lidhur me këtë çështje.“ - thekson Angelovska-Bezhoska.
Në një prononcim për „Faktor“, guvernatorja shkurtimisht komenton edhe spekulimet lidhur me kursin e këmbimit të monedhës vendase. Ajo thekson se paraqitja e spekulimeve rreth kursit të këmbimit të denarit nuk është ndonjë risi. Pa përjashtim, sa herë që përballemi me ndonjë goditje, për fat të keq ata janë të pranishme.
„Pretendimet spekulative lidhur me kursin e këmbimit të denarit nuk janë të mbështetura me argumente ekonomike.Në kushte kur mjaftueshmëria e rezervave valutore konfirmohet përmes të gjithë treguesve përkatës, është e paarsyeshme të flasim për ndryshim të vlerës së kursit të këmbimit.“ - theksoi Angelovska-Bezhoska.
Ajo theksoi se garancia për stabilitetin e kursit të këmbimit nuk është vetëm niveli i lartë i rezervave valutore, por edhe kompleti i gjerë i masave që banka qendrore i ka në dispozicion dhe do t’i përdori në mbrojtje të kursit të këmbimit nëse është e nevojshme.
„Nga aspekti ekonomik, ndryshimi i vlerës së kursit të këmbimit nuk mund të sjelli përfitim për ekonominë në përgjithësi. Në të kundërtën.Ai mund t’i rrisë detyrimet për shlyerje për ata, borxhi i të cilëve është i denominuar në monedha të huaja, të zvogëlojë forcën blerëse si pasojë e rritjes së çmimeve dhe të rrisë çmimin e importit, nga i cili varen shumë eksportues.“ - tha guvernatorja.
„Është interesante që Banka Popullore në disa vitet e kaluara vazhdimisht bënte blerjen e tepricës së valutave të huaja në tregun e këmbimit valutor, duke i rritur rezervat valutore në mënyrë natyrore. Mirëpo, deri tani askush nuk ka bërë ndonjë spekulim për rritjen e vlerës së denarit, gjë që tregon se përpjekjet për të imponuar një debat për çështjen e kursit të këmbimit të monedhës vendase, për fat të keq, nuk janë gjithmonë të natyrës ekonomike.“ - thotë Angelovska-Bezhoska.
Në deklaratën për „Faktor“, ajo është e bindur se publiku duhet të jetë i qetë - denari mbetet stabil.
Vlerësimi se strategjia monetare e Bankës Popullore për kursin e këmbimit të denarit është e përshtatshme për ekonominë maqedonase, për vite me radhë, në kuadër të pikëpamjeve të saj e thekson edhe FMN-ja. Kohët e fundit, ky vlerësim është bërë nga kreu i misionit të FMN-së për vendin tonë, Bergljot Bjornson Barkbu, dhe përfaqësuesja e përhershme e FMN-së për Ballkanin Perëndimor, Stefani Eble. Ata theksojnë se kursi i këmbimit të denarit është spiranca kryesore e politikave makroekonomike.
Deklaratën e guvernatores për „Faktor“ mund ta gjeni këtu.