Shkup, 19 maj 2020
Këtë vit, vendi ynë ka rezultatet më të mira në rajon sa u përket rekomandimeve të Komisionit Evropian nga Programi për Reforma Ekonomike, për periudhën nga maji 2019 deri në janar 2020, të cilat kanë të bëjnë me masat reformuese për të forcuar stabilitetin financiar dhe krijimin e vendeve të punës. Komisioni Evropian gjithashtu vlerësoi pozitivisht masat për të trajtuar krizën e koronës. Sot, guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezoska dhe ministrja e Financave, Nina Angelovska morën pjesë në Dialogun e rregullt vjetor Ekonomik dhe Financiar midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, i cili u mbajt online.
Për tre vitet e fundit, vendi ynë ka qenë ndër vendet e para në rajon në zbatimin e masave ekonomike në përputhje me rekomandimet e dhëna nga Komisioni Evropian në kuadër të Dialogut Ekonomik dhe Financiar.
Banka Popullore është e përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në zbatimin e disa rekomandimeve të vitit të kaluar nga Programi për Reforma Ekonomike, të cilat kryesisht kanë për qëllim forcimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar. Guvernatorja Anita Angelovska-Bezoska thekson se vlerësimi i institucioneve të BE-së për zbatimin e këtyre rekomandimeve tregon një nivel të konsiderueshëm të implementimit dhe është një nga dy vlerësimet më të larta për zbatimin e gjashtë grupeve të rekomandimeve që kontribuon drejtpërdrejt në rezultatin e përgjithshëm të vendit tonë. Zbatimi i këtyre rekomandimeve, siç theksohet, pasqyron përkushtimin e Bankës Popullore për përfundimin e plotë të reformave.
Në kuadër të Dialogut Ekonomik dhe Financiar, qartë theksohet arritja e suksesshme e qëllimeve monetare dhe hapësirës që Banka Popullore vazhdimisht po e ndërton, gjë që mundësoi reagim të shpejtë për të lehtësuar efektet e krizës së koronës.
Angelovska-Bezoska theksoi se rekomandimet brenda dialogut me BE-në kanë një rol të rëndësishëm në forcimin e bazave ekonomike dhe se Banka Popullore do të vazhdojë të punojë me përkushtim për të zbatuar rekomandimet e Programit për Reforma Ekonomike për periudhën e ardhshme, të cilat lejojnë një harmonizim më të shpejtë me standardet evropiane.
Ministrja e Financave, Angelovska, e cila koordinon procesin e përgatitjes së masave ekonomike të Programit, theksoi se ka përparim relativisht të mirë të masave. Zbatimi i disa masave është në një nivel më të lartë dhe disa janë masa më afatgjata dhe duhet të zbatohen për një periudhë më të gjatë kohore. Ekziston një zbatim i mirë i reformave në drejtim të mbrojtjes sociale, si dhe zbatimi i masës për garanci të të rinjve. Gjithashtu, po merren masa për trajtimin e problemit më të hidhur, ekonominë gri, për të cilin Ministria e Ekonomisë ka hartuar një plan veprimi.
Dialogu Ekonomik dhe Financiar u përqendrua në zbatimin e krizës së koronës dhe u shkëmbyen përvoja për masat afatshkurtra për të adresuar pasojat, si dhe masat afatmesme drejt rimëkëmbjes. Ministrja e Financave theksoi se deri më tani vendi ka miratuar tre grupe masash - dy për tejkalimin e krizës që synojnë lirimet nga taksat, mbështetjen financiare për ruajtjen e vendeve të punës, injeksionet e likuiditetit dhe masat rregullatore dhe të tretën që synon mbështetjen e konsumit dhe ekonomisë përmes një sërë masash.