Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare
Shkup, 17 qershor 2020
Dje u mbajt mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan treguesit e fundit kryesorë për ekonominë vendase dhe zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit, në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Pas uljes së normës së interesit të bonove të bankës qendrore në tre raste nga fillimi i vitit, në këtë mbledhje u vendos që ajo të mbahet në 1,5%. Domethënë, në kushtet që rrjedhin nga pandemia e Kovid-19 dhe masat për parandalimin e përhapjes së virusit, të cilat ndikojnë negativisht mbi ekonominë globale dhe vendase, dhe me një nivel të qëndrueshëm të rezervave valutore dhe mungesë të presioneve të inflacionit, që nga fillimi i vitit politika monetare është e relaksuar. Ulja e normës bazë të interesit në 1.5%, si dhe ulja e deritanishme e shumës së ofruar të bonove të bankës qendrore, kontribuoi pr rritje të mëtejshme të likuiditetit të sistemit bankar dhe mbështetje të flukseve të kredive në ekonomi. Nisur nga politika tashmë e lehtësuar monetare, në këtë mbledhje të Komitetit u vendos që norma e interesit të bonove të bankës qendrore të mbetet në nivelin aktual, sipas kushteve aktuale ekonomike dhe financiare. Në të njëjtën kohë, likuiditeti i lëshuar përmes instrumentit bazë të Bankës Popullore, në total prej 15 miliardë denarëve në prill dhe maj, në mbledhje u vlerësua si i përshtatshëm, me ç’rast u vendos që në ankandin e bonove të thesarit që do të mbahet të ofrohen bono të bankës qendrore në shumë të pandryshuar prej 10 miliardë denarësh.
Në mbledhje u shqyrtuan edhe treguesit e fundit ekonomikë në ekonominë vendase. Rritja e aktivitetit ekonomik u ngadalësua dukshëm në tremujorin e parë në 0,2% në bazë vjetore, përkundër rritjes prej 3,4% në tremujorin paraprak. Ngjarjet lidhur me paraqitjen e Kovid-19 në baza globale, si dhe masat që u ndërmorën për parandalimin e përhapjes së virusit, gjatë muajit mars çuan në përkeqësim të aktivitetit të biznesit, i dukshëm në shumicën e veprimtarive ekonomike. Sa u përket shpenzimeve, kjo situatë preku kërkesën vendore, e cila kishte kontribut më të vogël pozitiv në rritjen e PBB-së, i cili thuajse plotësisht u neutralizua nga kontributi negativ i neto eksportit. Kërkesa më e dobët vendore në tremujorin e parë buron nga një rënie e vogël e investimeve bruto, përkundër rritjes së tyre të qëndrueshme në tremujorin paraprak, si dhe ngadalësimi i rritjes së konsumit privat dhe publik. Treguesit aktualisht në dispozicion me frekuencë të lartë për tremujorin e dytë të këtij viti janë të kufizuara për një pamje më të plotë për situatën, mirëpo të dhënat për industrinë dhe tregtinë për muajin prill tregojnë efekte të mëtejshme negative më të theksuara nga kriza shëndetësore mbi aktivitetin ekonomik.
Sa u përket lëvizjeve të inflacionit, ndryshimet e çmimeve në periudhën prill-maj aktualisht janë në përputhje me parashikimet për tremujorin e dytë. Në kushte të këtilla, si dhe drejtimeve të ndryshme të rishikimit të çmimeve të importit, rreziqet lidhur me parashikimet e inflacionit prej 0% për këtë vit, aktualisht vlerësohen si të ekuilibruara. Megjithatë, edhe m tej ekziston pasiguri e madhe lidhur me lëvizjen e ardhme të çmimeve botërore të produkteve parësore, lidhur me koronavirusin dhe jetëgjatësinë e pandemisë.
Niveli i rezervave valutore mbahet në zonë të sigurt, me ç’rast arritjet në tremujorin e dytë janë kryesisht në pajtim me pritjet. Gjatë këtij muaji, rezervat valutore shënuan një rritje të konsiderueshme prej rreth 600 milionë eurosh. Të dhënat për sektorin e jashtëm lidhur me tremujorin e dytë janë të kufizuara, mirëpo nga të dhënat e disponueshme shihet një ndikim më i shprehur negativ mbi ekonominë vendore nga përhapja e koronavirusit, në pajtim me pritjet se efektet negative do të jenë më të forta në prill, me një rimëkëmbje graduale në pjesën tjetër të tremujorit të dytë.
Informacionet e fundit nga tregtia e jashtme për muajin prill të vitit 2020 tregojnë mundësinë që deficiti tregtar të jetë në pajtim me pritjet sipas parashikimeve, edhe pse periudha prej një muaji është e shkurtër për të arritur konstatime më të sigurta në këtë fushë. Të dhënat për tregun e këmbimit valutor deri në muajin maj, aktualisht tregojnë mundësi që neto hyrjet nga transferimet private të jenë më të ulëta nga pritjet për tremujorin e dytë. Arritjet në bilancin e pagesave për tremujorin e parë të këtij viti tregojnë një deficit në llogarinë rrjedhëse, i cili është në përputhje me parashikimet e muajit prill, dhe devijime më të mëdha sa i përket parashikimit nuk janë regjistruar as në llogarinë financiare.
Sa u përket zhvillimeve në totalin e depozitave dhe totalin e kredive, të dhënat fillestare për muajin maj tregojnë rritje vjetore, në pajtim me parashikimin për tremujorin e dytë të vitit.
Në periudhën e kaluar, likuiditeti i sistemit bankar u mbajt në një nivel relativisht të qëndrueshëm, që vërtetohet edhe me nevojën e ulët të bankave për huamarrje në tregjet e parasë. Për më tepër, të dhënat për tregjet financiare vendore për muajin maj tregojnë tendenca konsiderueshëm të përmirësuara në tregun e këmbimit valutor, që mund të çojë në stabilizim gradual të pritjeve të personave fizikë dhe subjekteve ekonomike. Në rrethana të atilla, në maj, Banka Popullore ishte e pranishme në tregun e këmbimit valutor me ndërhyrje konsiderueshëm më të ulëta për shitje të valutave të huaja në bazë mujore, prej rreth 53,7 milionë euro.
Gjatë muajit të kaluar, preferenca për ndërmarrjen e rrezikut nga investitorët në tregjet financiare ndërkombëtare u rrit, gjë që tregon kthim të caktuar të optimizmit. Domethënë, në shumë ekonomi të huaja, përsëri ishin hapur kompanitë nga më shumë veprimtari, dhe mbështetja e mëtejshme e hartuesve të politikave monetare dhe fiskale është e pranishme në nivel global. Rrjedhimisht, ishte regjistruar edhe një tendencë rritëse e indekseve të bursë, rritje e kthimeve të bonove shtetërore në eurozonë dhe stabilizim të kthimeve nga letrat shtetërore me vlerë të emetuara në SHBA.
Në përgjithësi, në mbledhjen e Komitetit u konstatua se flukset janë aktualisht stabile dhe treguesit e fundit makroekonomikë kryesisht lëvizin në pajtim me pritjet, me ç’rast pikëpamjet për ambientin e zbatimit të politikës monetare janë të pandryshuara në raport me vlerësimin paraprak të Bankës Popullore. Pasiguria dhe rreziqet nga efektet e ardshme makroekonomike nga pandemia Kovid-19 vazhdojnë të jenë të pranishme dhe të shprehura, si në korniza globale ashtu edhe në ekonominë vendore, gjë që ndikon edhe mbi ndryshueshmërinë e pritjeve. Banka Popullore edhe në periudhën që pason me kujdes do t’i monitorojë tendencat dhe rreziqet e mundshme, me qëllim reagimin e duhur përmes përshtatjes së politikave, nëse e kjo është e nevojshme.