Shkup, 17 qershor 2020
Dje u mbajt finalja e madhe e Kuizit Evropian të Parasë, në të cilën, përveç nxënësve morën pjesë edhe mentorët, prindërit dhe të gjithë të tjerët të interesuar për edukimin financiar nga disa vende evropiane. Sipas të dhënave të publikuara nga Federata Bankare Evropiane, në këtë ngjarje të rëndësishme, përfaqësuesit e vendit tonë ishin më të shumtët, që edhe një herë vërteton se interesi i të rinjve në vendin tonë për arritjen e niveleve më të larta të kulturës financiare është shumë i madh, dhe në vitet e fundit, me ndërmarrjen e aktiviteteve më intensive në këtë fushë ky interes vazhdimisht po rritet.
Për shkak të pandemisë së Kovid-19, Federata Bankare Evropiane vendosi që kjo finale të ketë një format të ndryshëm nga vitet e kaluara - të jetë i natyrës së hapur, dhe të zhvillohet online, me transmetim të drejtpërdrejtë në Youtube, përmes platformës Kahoot! Pjesëmarrës ishin edhe fituesi ynë, Edon Hambari, fituesi i vendit të dytë në garën nacionale, Andrej Shumanski dhe një numër studentësh tjerë të interesuar nga shkollat tona fillore dhe të mesme.
Në ngjarjen online, e cila ishte edhe mbyllja zyrtare e edicionit të sivjetshëm të Kuizit Evropian të Parasë, veçmas u prezantuan edhe fituesit e garave nacionale për nxënës të moshë 13 deri më 15 vjeç të të gjithë shteteve që këtë vit morën pjesë në ngjarjen më të madhe evropiane me karakter edukativo-garues kushtuar kulturës financiare. Edon Hambari u prezantua si fitues i garës nacionale në vendin tonë.
|
Галерија ЕКП - европско финале 2020 година |
Ndryshe, për shkak të rrethanave në të cilat u organizua ngjarja gjatë pandemisë së Kovid-19, për herë të parë, finalja evropiane u zhvillua vetëm në gjuhën angleze. Vendin e parë e fitoi Spanja.
Në kuadër të ngjarjes u prezantuan edhe momente të rëndësishme nga edicionet e kaluara të kësaj gare të rëndësishme edukative, me ç’rast u prezantua edhe suskesi i madh i përfaqësuesve tonë të vitit të kaluar të cilët fituan vendin e dytë në Evropë.
Gara nacionale në kuadër të Kuizit Evropian të Parasë, organizuar nga Asociacioni Bankar Maqedonas në bashkëpunim me Bankën Popullore dhe Komisionin e Letrave me Vlerë dhe me mbështetje të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, numërohet ndër ngjarjet më të mëdha me natyrë edukativo-garuese që organizohen në vendin tonë.
Investimi në edukimin financiar dhe në nxitja e përfshirjes më të lartë financiare paraqet investim në stabilitetin dhe përparimin e ekonomisë. Banka Popullore dhe rregullatorët tjerë të sistemit financiar dhe Asociacioni Bankar Maqedonas, në kuadër të bashkëpunimit me të cilin organizohet edhe Kuizi Evropian i Parasë në vendin tonë, edhe në periudhën e ardhme do të kenë aktivitete të shumta me të cilat do të synohet që edhe më shumë të nxitet interesi për edukimin financiar dhe përfshirje më të lartë financiare.