Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore
Më 14 maj të vitit 2019, u zhvillua mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan gjendjet në ekonominë e vendit, zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit si dhe treguesit për ekonominë e vendit në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Pas uljes së normës së interesit në mars, në këtë mbledhje, Komiteti vlerësoi se pozicionimi monetar është i përshtatshëm për kushtet ekzistuese ekonomike dhe financiare, me ç‘rast vendosi të mbajë normën e interesit të bonove të bankës qendrore në 2,25%. Gjatë mbledhjes, gjithashtu, u vendos që oferta e bonove të bankës qendrore, për ankandin i cili do të mbahet më 15 maj 2019 të mbahet në nivelin e 25.000 milionë denarë.
Komiteti shqyrtoi arritjet e fundit në ekonominë e vendit në kontekst të parashikimeve të fundit makroekonomikë, me ç‘rast konkludoi se themelet ekonomike janë të shëndosha, pa prezencë të çekuilibrimeve në ekonomi. Mungesa e çekuilibrimeve vërehet përmes inflacionit stabil dhe pozicionit të jashtëm të favorshëm, kontekst i cili kontribuon për zhvillime të favorshme në tregun e këmbimit valutor dhe intervenime me blerje të valutave të huaja nga Banka Popullore që nga fillimi i vitit. Dinamika dhe struktura valutore e kursimeve të amvisërive tregojnë pritshmëri stabile dhe perceptime të favorshme.
Sa u përket treguesve të fundit makroekonomikë, pas rritjes relativisht solide të ekonomisë në vitin 2018, treguesit e disponueshëm aktual me frekuencë të lartë për aktivitetin ekonomik në tremujorin e parë të vitit 2019 tregojnë zhvendosje të favorshme në ekonomi, të dukshme përmes rritjes së përshpejtuar të industrisë dhe tregtisë, me një rritje të njëkohshme, por më të moderuar në ndërtimtari.
Norma mesatare vjetore e inflacionit në katër muajt e parë ishte 1,4%, me pritje për një normë të inflacionit prej 1,5% për tërë vitin 2019. Rreziqet lidhur me parashikimin e inflacionit për vitin 2019 aktualisht vlerësohen si të ekuilibruara.
Numri i treguesve të sektorit të jashtëm është i kufizuar por të dhënat e disponueshme aktuale tregojnë një pozicion të jashtëm relativisht të favorshëm. Sa i përket mjaftueshmërisë së rezervave valutore, të gjithë treguesit vazhdojnë të jenë në zonë të sigurt.
Sa u përket zhvillimeve monetare, të dhënat fillestare monetare për muajin prill tregojnë rritje solide mujore në totalin e depozitave, e cila në një pjesë është rezultat i kursimit të amvisërive dhe pjesërisht reflektim i rritjes së depozitave të korporatave. Në tregun e kredisë, në prill vazhdoi rritja mujore e kredive, me një rritje të kreditimit të amvisërive dhe sektorit të korporatave.
Në periudhën midis dy mbledhjeve të Komitetit, bankat kishin nevojë relativisht të vogël për huamarrje në tregun ndërbankar të depozitave, me një rritjeje të mëtejshme të likuiditetit në denarë të sistemit bankar, i cili edhe më tej ishte i drejtuar drejt depozitave të disponueshme në Bankën Popullore, të cilat mundësojnë fleksibilitet të lartë dhe qasje në mjetet për kreditim të pandërprerë të subjekteve vendase.
Rritja e mjeteve likuide në sistemin bankar gjatë kësaj periudhe, edhe përkundër kërkesës më të lartë sezonale të parave të gatshme në denarë lidhet me efektin e likuiditetit të transaksioneve të shtetit dhe intervenimet e Bankës Popullore për blerje të 29 milion eurove. Blerja relativisht e lartë e valutave të huaja nga ana e Bankës Popullore u realizua në kushte të ofertës së rritur sezonale të valutave të huaja në tregun e këmbimit valutor para Festës së Pashkëve dhe neto kërkesës më të ulët mujore për likuiditet devizor të firmave.
Ndryshe nga muaji paraprak, në prill, disponimi në tregjet ndërkombëtare ishte i drejtuar drejt marrjes së rrezikut. Globalisht, mbizotëronin perofrmanca ekonomike të cilat ishin më të mira se sa pritej, gjë që kontribuoj për ulje të çmimeve të instrumenteve të sigurt, gjegjësisht u regjistrua rritje e kthimeve të tyre. Surprizë pozitive për tregjet ishte rritja më e lartë ekonomike e SHBA-së se sa rritja që pritej, rrija e vazhdueshme e ekonomisë kineze, si dhe norma më e lartë e moderuar e rritjes së PBB-së dhe treguesit e favorshëm për pritjet në eurozonë. BQE-ja ruajti pozicionimin aktual të politikës monetare, në kushte të perceptimeve për rreziqe në rritjen ekonomike. FED-i la nivelin e synuar të shtrirjes së normës së interesit në një nivel të pandryshuar, duke iu referuar një politike monetare neutrale. Në të kundërtën, në fillim të majit, në tregjet u rrit neveria ndaj rrezikut si pasojë e tensioneve të rritura që filluan me rritjen e detyrimeve doganore nga ana SHBA-së ndaj Kinës.
Në përgjithësi, në mbledhje u konkludua se pas uljes së normës së interesit në mars, treguesit dhe vlerësimet e fundit makroekonomikë kryesisht lëvizin në pajtim me pritjet, ndërsa qëndrimet për ambientin e zbatimit të politikës monetare kryesisht janë të pandryshuara. Megjithatë, përsëri u theksuan rreziqet e pafavorshme nga mjedisi i jashtëm, veçanërisht ato të shkaktuara nga pasiguria lidhur me tensionet tregtare në rritje. Banka Popullore edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë me kujdes të monitorojë trendet dhe rreziqet e mundshme, në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.