Mbledhja e KOMP-it: Ulet norma bazë e interesit, zvogëlohet shuma e ofruar e bonove të bankës qendrore dhe zgjerohet shtrirja e instrumenteve për sigurimin e likuiditetit në denarë të sistemit bankar
Shkup, 13 maj 2020
Dje u mbajt mbledhja e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Banks Popullore (KOMP), në të cilën u shqyrtuan treguesit kryesorë për ekonominë vendase dhe zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit, në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Pas uljes së normës bazë të interesit në janar dhe mars, në këtë mbledhje të Komitetit u miratua vendim për ri ulur atë përsëri për 0,25 pikë përqindjeje, duke e reduktuar në 1,5%. Në të njëjtën kohë, pas uljes së shumës së bonove të bankës qendrore e cila ishte ofruar në ankandin e muajit prill, në mbledhje u vendos që oferta e bonove të bankës qendrore në ankandin që do të mbahet sot të zvogëlohet për 7 miliardë denarë. Bashkë me fondet që u liruan me ofertën e zvogëluar të bonove të bankës qendrore në ankandin e prillit, në total lërohen 15 miliardë denarë, që pritet të mundësojnë mbështetje të mëtejshme të ekonomisë maqedonase përmes nxitjes së aktivitetit kreditues të sistemit bankar.
Vendimi për relaksim të mëtejshëm monetar bazohet në stabilizimin e pritjeve dhe besimin e subjekteve ekonomike gjatë periudhës së fundit, që vërehet përmes lëvizjeve të përmirësuara në tregun e këmbimit valutor dhe në depozitat e sistemit bankar. Këto rrethana, me një nivel të rehatshëm të rezervave valutore dhe inflacionit të moderuar, dhe me vlerësime për efektet të pafavorshme nga kriza shëndetësore mbi aktivitetin ekonomik në plan afatshkurtër, krijojnë hapësirë për mbështetje shtesë përmes politikës monetare.
Ky relaksim i politikës monetare pritet të ndihmojë për uljen e çmimeve të financimit përmes kredive nga bankat, si dhe për sigurimin e likuiditetit shtesë të sistemit bankar, të cilin bankat do të mund ta përdorin për mbështetje të ekonomisë vendase përmes rritjes së aktivitetit kreditues dhe lehtësim të efekteve nga tronditja negative mbi ekonominë vendase.
Në mbledhje u vendos të bëhen ndryshime shtesë përmes të cilave bankat qendrore do t’u sigurojnë bankave qasje më të madhe në likuiditet, nëse në periudhën pasuese paraqitet një nevojë e tillë, e cila indirekt krijon hapësirë shtesë për mbështetje të rritur kredie të ekonomisë. Më konkretisht, me këto ndryshime u zgjerua shtrirja e letrave me vlerë që Banka Popullore mund t’i pranojë nga bankat vendase si një instrument për sigurimin e likuiditetit në denarë në sistemin bankar. Kështu, gjatë kryerjes së operacioneve monetare për blerje të letrave me vlerë në bazë të përkohshme ose definitive, Banka Popullore do të jetë në gjendje të pranojë edhe obligacionet vendase me maturitet më të gjatë (15 dhe 30 vjet), si dhe Eurobonot e lëshuara nga shteti në tregjet ndërkombëtare financiare, që janë në pronë të bankave tregtare vendase.
Komiteti shqyrtoi edhe arritjet e fundit në ekonominë vendase në kontekst të parashikimeve të fundit makroekonomike të prillit, me ç’rast konstatoi se, pavarësisht efekteve të dukshme negative mbi ekonominë lidhur me tronditjen nga Kovid-19, bazat ekonomike vazhdojnë të jenë të shëndosha. Mungesa e çekuilibrimeve është e dukshme përmes inflacionit të ulët dhe zhvillimeve stabile në tregun e këmbimit valutor në periudhën e fundit.
Sa u përket treguesve të fundit makroekonomikë, pas një rritjeje relativisht solide të ekonomisë në vitin 2019, treguesit aktual me frekuencë të lartë për aktivitetin ekonomik në tremujorin e parë të këtij viti tregojnë vazhdimin e rritjes, por me një ritëm më të ngadalshëm. Domethënë, pavarësisht zhvillimeve të favorshme në dy muajt e parë të vitit, efektet e para nga kriza e koronës vërehen në mars, dhe janë të dukshme përmes rënies së aktivitetit në industri dhe tregti. Në ndërtimtari, edhe gjatë muajit të dytë të vitit është shënuar një rritje e lartë e aktivitetit.
Norma mesatare vjetore e inflacionit në katër muajt e parë të vitit është 0,4%, me pritje të një norme të inflacionit prej 0% për këtë vit dhe rreziqe të balancuara rreth parashikimit.
Niveli i rezervave valutore vazhdon të mbahet në zonë të sigurt, me performanca në pajtim me pritjet. Sa u përket informacioneve në dispozicion për sektorin e jashtëm, të dhënat për tregtinë e jashtme deri në muajin mars të këtij viti tregojnë zgjerim të deficitit tregtar në bazë vjetore në tremujorin e parë - zhvillime që përfshihen në parashikimet e fundit të Bankës Popullore. Të dhënat për tregun e këmbimit valutor deri në dekadën e dytë të muajit prill tregojnë neto hyrje nga transferimet private të cilat aktualisht janë më të ulëta nga pritjet për tremujorin e dytë të këtij vitit, edhe pse periudha për një vlerësim më konkret është e shkurtër.
Sa u përket zhvillimeve në totalin e depozitave dhe kredive, të dhënat fillestare për muajin prill tregojnë rritjen e tyre të mëtejshme në bazë vjetore, edhe pse me një ritëm më të moderuar, në pajtim me trajektoren e pritur në kuadër të parashikimeve.
Treguesit për tregjet financiare vendase tregojnë stabilizim gradual të zhvillimeve në tregun e këmbimit valutor, me një normalizim të dukshëm të pritjeve të personave fizikë. Domethënë, që nga fundi i prillit e këndej vërehet një rënie e vazhdueshme e kërkesës për monedha të huaja nga personat fizikë, e cila gradualisht kthehet drejt nivelit të zakonshëm para fillimit të krizës së koronës. Në rrethana të tilla, Banka Popullore në gjysmën e dytë të muajit prill, ndërhyri herë pas here në tregun e këmbimit valutor me shitjen e një totali prej 28 milionë eurosh. Që nga fillimi i muajit maj, banka qendrore nuk ka ndërhyrë në tregun e këmbimit valutor.
Sa i përket mjedisit të jashtëm, masat për ndalim të përkohshëm të aktiviteteve në veprimtari të caktuara ekonomike nëpër vendet e botës rezultuan me një rënie të konsiderueshme të aktivitetit ekonomik në nivel global, të dukshme përmes treguesve për PBB-në për tremujorin e parë të vitit dhe treguesve të tjerë me frekuencë të lartë. Në rrethana të tilla, në muajin prill, krijuesit e politikave monetare dhe fiskale të vendeve të zhvilluara dhe vendeve në zhvillim vazhduan të sigurojnë mbështetjen e duhur për ekonomitë vendase. Ngjarjet e këtilla ndikuan në stabilizimin e pritjeve të investitorëve në tregjet financiare ndërkombëtare dhe ndryshueshmëri të ulët të çmimeve të instrumenteve financiare.
Në përgjithësi, në mbledhjen e Komitetit u konstatua se rreziqet e jashtme dhe vendase për ekonominë vazhdojnë të jenë të pranishme. Në rrethana aktuale, me stabilizimin e treguesve relevant për politikën monetare, ekziston hapësirë për relaksim të mëtejshëm monetar, në funksion të mbështetjes së ekonomisë. Banka Popullore edhe në periudhën që pason me kujdes do t’i monitorojë tendencat dhe rreziqet e mundshme, me qëllim reagimin e duhur përmes përshtatjes së politikave dhe marrjen e masave tjera shtesë nëse është e nevojshme.