Më 11 qershor të vitit 2019, u zhvillua mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë Operative Monetare të Bankës Popullore, në të cilën u shqyrtuan treguesit kryesorë për ekonominë e vendit dhe zhvillimet në tregjet financiare ndërkombëtare dhe të vendit në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.
Komiteti vlerësoi se pozicionimi monetar është i përshtatshëm për kushtet ekzistuese ekonomike dhe financiare, me ç’rast u vendos që norma e interesit të bonove të bankës qendrore të mbahet në 2,25%. Njëkohësisht, u vendos që oferta e bonove të bankës qendrore, për ankandin i cili do të mbahet më 12 qershor 2019 të mbahet në nivelin e 25.000 milionë denarë.
Në mbledhje u shqyrtuan edhe arritjet e fundit në ekonominë e vendit në kontekst të parashikimeve makroekonomike të muajit prill. Sipas vërejtjeve të Komitetit, themelet ekonomike janë të shëndosha, pa prani të çekuilibrimeve në ekonomi. Mungesa e çekuilibrimeve vërehet përmes inflacionit të ulët dhe stabil dhe pozicionit të jashtëm të favorshëm, kontekst i cili kontribuon për zhvillime të favorshme në tregun e këmbimit valutor dhe intervenime me blerje të devizave nga Banka Popullore që nga fillimi i vitit. Dinamika dhe struktura valutore e kursimeve të amvisërive tregojnë pritshmëri stabile dhe perceptime të favorshme.
Lidhur me parashikimet e fundit makroekonomikë, sipas të dhënave të vlerësuara zyrtare për PBB-në, aktiviteti ekonomik në tremujorin e parë të këtij viti shënon rritje prej 4,1%, gjë që është në pajtim me pritjet. Rritja e aktivitetit ekonomik nxitet nga kërkesa vendase, ndërsa eksporti neto ka kontribut të vogël negativ. Për tremujorin e dytë të këtij viti, në kushte të një sasie të kufizuar të të dhënave në dispozicion, është vështirë të jepet një vlerësim më preciz për gjendjen e ekonomisë. Tani për tani, të dhënat në dispozicion me frekuencë të lartë për muajin prill tregojnë vazhdimin e zhvillimeve të favorshme në ekonomi, të dukshme nëpërmjet rritjes së mëtejshme të prodhimit industrial dhe qarkullimit në tregti.
Norma mesatare vjetore e inflacionit në pesë muajt e parë ishte 1,4%, me pritje për një normë të inflacionit prej 1,5% për tërë vitin 2019. Rreziqet lidhur me parashikimin e inflacionit për këtë vit aktualisht vlerësohen si të ekuilibruara.
Sa u përket treguesve të sektorit të jashtëm, për momentin në dispozicion janë të dhënat për tregti të jashtme për muajin prill, me ç’rast periudha prej një muaji është e shkurtër për të bërë konkluzione më të besueshme në këtë fushë. Të dhënat për tregun e këmbimit valutor për dekadën e dytë e muajit maj tregojnë neto hyrje nga transferimet private të cilët janë brenda pritjeve për tremujorin e dytë. Arritjet në bilancin e pagesave në tremujorin e parë të këtij viti, tregojnë deficit më të lartë në llogarinë korrente në raport me parashikimin e prillit, por edhe hyrje neto më të mira financiare nga pritjet për këtë periudhë. Rezervat valutore në fund të majit janë pak më të larta krahasuar me fundin e vitit të kaluar, ku të gjithë treguesit për mjaftueshmërinë e tyre vazhdojnë të jenë në zonë të sigurt.
Sa u përket zhvillimeve monetare, pas rritjes në muajin prill, të dhënat fillestare për muajin maj tregojnë rënie mujore të totalit të depozitave, që kryesisht është si pasojë e rritjes së depozitave të sipërmarrjeve dhe sektorëve tjerë, gjatë një rënie edhe të depozitave të amvisërive. Në tregun e kredisë, në maj vazhdoi rritja mujore e kredive, e nxitur nga rritja e kreditimit të amvisërive. Për momentin nuk vërehen devijime të mëdha nga dinamika e pritshme e agregatëve monetarë dhe të kredive.
Në periudhën midis dy mbledhjeve të Komitetit, likuiditeti i bankave të vendit u mbajt në nivel relativisht të lartë dhe të qëndrueshëm, gjë që ka ndikuar që edhe më tej bankat të kenë nevojë të ulët për huamarrje në tregun ndërbankar të depozitave. Në kushte të këtilla, tepricën e mjeteve të lira në para, bankat vazhdojnë ta drejtojnë kah depozitat e disponueshme tek Banka Popullore, të cilat mundësuan fleksibilitet dhe qasje të lartë në mjete për mbështetje të pandërprerë kreditore të subjekteve të vendit.
Në tregun e këmbimit valutor në maj u regjistrua një rritje sezonale e kërkesës neto për deviza, që ishte plotësisht e përmbushur nga mjetet vetjake devizore të bankave. Për më shumë, në kushte të menaxhimit fleksibil me mjetet dhe detyrimet devizore, bankat një pjesë të tepricës së likuiditetit devizor e drejtuan në tregun ndërbankar devizor, dhe si pasojë, Banka Popullore edhe këtë muaj intervenoi me blerje të devizave nga bankat mbështetëse. Që nga muaji maj, Banka Popullore ka blerë 72,5 milion euro, që do të thotë se në pesë muajt e parë të këtij viti, banka qendrore është e pranishme në tregun e këmbimit valutore vetëm me blerje të devizave nga sistemi.
Tensionet e ripërtërishme të tregtisë globale, me intensifikimin e marrëdhënieve të SHBA-ve me Kinën dhe Meksikën, në maj, çuan në rritjen e averzionit midis investitorëve për ndërmarrje të rrezikut në tregjet financiare ndërkombëtare. Si pasojë, kërkesa për letra shtetërore me vlerë u rrit, gjë që çoi në rritje të çmimeve të tyre dhe rrjedhimisht rënie të kthimeve në tregjet e të dy anëve të Atlantikut dhe u forcua dollari amerikan. Krijuesit e politikës monetare të FED-it porositën se ka nevojë për qasje të kujdesshme në përshtatjen e normave të interesit për një periudhë të caktuar, si dhe për gatishmëri për një reagim të duhur të politikës monetare me uljen e normave të interesit, si përgjigje ndaj rreziqeve nga marrëdhëniet e ashpëruara tregtare në nivel global. Në mbledhjen e BQE-së në fillim të qershorit u theksua se normat e interesit në BE pritet të mbeten të njëjta deri në gjysmën e parë të vitit 2020, përkundër njoftimeve paraprake që të mbahen në atë nivel deri në fund të vitit. Njëkohësisht, në mbledhje u paraqitën edhe hollësi shtesë për normën e interesit mbi operacionet e targetuara afatgjate për refinancim (TLTRO III). Në këtë kontekst, bankat qendrore me ndikim global vazhdojnë të mbajnë kushte të favorshme monetare me qëllim nxitjen e rritjes ekonomike, mirëpo sipas vlerësimeve fillestare, ndryshimet e njoftuar kohëve të fundit në doganat e SHBA-së dhe Kinës mund të kontribuojnë që PBB-ja globale në vitin 2020 të jetë për më i ulët për 0,5 pikë përqindjeje se sa vlerësimet aktuale.
Në përgjithësi, në mbledhje u arrit përfundimi se treguesit dhe vlerësimet e fundit makroekonomikë kryesisht lëvizin në pajtim me pritjet, ndërsa vrojtimet për ambientin e implementimit të politikës monetare kryesisht janë të pandryshuara në raport me vlerësimin paraprak. Megjithatë, përsëri u theksuan rreziqet e pafavorshme nga mjedisi i jashtëm, veçanërisht ato të shkaktuara nga pasiguria lidhur me tensionet tregtare në rritje. Banka Popullore edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdojë me kujdes të monitorojë tendencat dhe rreziqet e mundshme, në kontekst të pozicionimit të politikës monetare.