Njoftim i përbashkët i Bankës Popullore dhe Ministrisë së Financave
Shkup, 11 prill 2020
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi mbështetje financiare për vendin tonë, përmes Instrumentit për Financim të Shpejtë, në shumë prej rreth 176 milionë euro. Ky instrument mundëson një qasje të shpejtë dhe të favorshme në fondet financiare të FMN-së, në kushte kur një ekonomi me themele të shëndosha preket nga një goditje e jashtme, e papritur dhe e përkohshme, siç është pandemia me virusin Kovid-19.
Ashtu si shumica e ekonomive në nivel global, edhe ekonomia maqedonase do të preket përkohësisht pas paraqitjes së infeksionit të ri viral. Efektet do të ndihen përmes rënies së kërkesës globale, por edhe përmes rregullimit të kërkesës së brendshme, në kushte të pasigurisë dhe masave të marra për kufizimin e përhapjes së virusit. Ngjashëm me ekonomitë tjera, një kontekst i tillë imponon nevojën për përshtatjen e politikave makroekonomike për mbështetje të përkohshme dhe të synuar makroekonomike. Përdorimi i fondeve të FMN-së është një element i rëndësishëm për zbatimin e këtyre politikave, duke siguruar financa shtesë për mbështetjen buxhetore, si dhe mbështetje të aftësisë valutore të ekonomisë.
Në kontekstin e politikave, FMN thekson se Banka Popullore, brenda mandatit të saj, ka reaguar shpejt për t’iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme sfidave ekonomike të shoqëruara me Kovid-19. Përveç uljes së normës referente të interesit dhe ndryshimeve të synuara në rezervën e detyruar, FMN-ja gjithashtu veçon edhe ndryshimet rregullatore që mundësojnë lehtësim të përkohshëm të barrës financiare të përdoruesve të kredive të goditur nga kriza e koronës, duke ruajtur qasjen e kujdesshme të menaxhimit të rreziqeve.
FMN gjithashtu përmend edhe masat e marra fiskale për mbrojtjen e likuiditetit të kompanive dhe sigurimin e mbrojtjes sociale për amvisëritë e goditura. Në të njëjtën kohë, veçmas janë shënuar masat e miratuara nga Qeveria të cilat zvogëlojnë shpenzimet e panevojshme në këtë periudhë dhe sigurojnë fonde financiare shtesë për sektorin e shëndetësisë. FMN gjithashtu ka shqyrtuar masat me të cilat promovohet siguria e vendeve të punës dhe stabiliteti i tregut të punës.
Në kuadër të komunikimit me FMN-në, theksohet përkushtimi i politikë-bërësve për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar, si dhe për rritjen e aftësisë për rritje të qëndrueshme afatgjate të ekonomisë maqedonase. Sa i përket stabilitetit të sistemit bankar, FMN vlerëson pozitivisht forcimin e likuiditetit dhe pozicionin e kapitalit të sistemit në periudhën e kaluar, e cila tani siguron garanci për mbrojtje nga humbjet e mundshme për shkak të krizës së koronës. Në të njëjtën kohë, theksohet nevoja që bankat të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje financiare për ekonominë, në periudhën e ardhshme, për shkak të së cilës është e nevojshme të ruajnë pozicionin e tyre të kapitalit dhe likuiditetin në një nivel adekuat.