Banka Popullore vazhdon të zhvillojë më tej statistikën e llogarive financiare, në përputhje me angazhimet për harmonizimin e vazhdueshëm të standardeve më të larta ndërkombëtare dhe statistikore të Bashkimit Evropian. Projekti i binjakëzimit „Forcimi i kapacitetit institucional të Bankës Popullore në rrugën drejt anëtarësimit të saj në SEBQ“ kontribuon në pasurimin e tërësisë së të dhënave të cilat aktualisht janë në dispozicion të bankës sonë dhe të cilat u botuan për herë të parë në fund të vitit të kaluar. Aktivitetet e ndërmarra veçanërisht i referohen zhvillimit të llogarive financiare - flukseve, si dhe përcaktimit dhe vendosjes së metodave të përshtatshme për llogaritje dhe burime të të dhënave për përgatitjen e llogarive financiare tremujore - bilancet dhe flukset. Bankat qendrore, partnere në këtë proces janë Banka Popullore e Kroacisë dhe Rumanisë.
Në kuadër të projektit, sot u mbajt një prezantim në Fakultetin Ekonomik të Universitetit „Shën Kirili dhe Metodi“ në Shkup, mbi temën: „Statistika e llogarive financiare të Bankës Popullore - koncepti, zhvillimi dhe analiza e sektorëve kryesorë në periudhën e viteve 2013-2019“. Duke prezantuar arritjet e fundit të Bankës Popullore në fushën e statistikës, drejtoresha e Drejtorisë së Statistikës, Sultania Bojçeva-Terzijan, para profesorëve dhe studentëve të Fakultetit, përveç prezantimit të të dhënave të fundit për llogaritë financiare, foli edhe për përmirësimin e tyre të arritur në kuadër të projektit të binjakëzimit të mbështetur nga Bashkimi Evropian. Duke bërë këtë, ajo i prezantoi edhe të dhënat fillestare (eksperimentale) për llogaritë financiare - flukset, si dhe për llogaritë financiare tremujore - bilancet dhe flukset.
„Duhet të theksoj se transferimi i zgjidhjes së TI-së për përpilimin e këtyre të dhënave nga Banka Popullore e Kroacisë, e cila është partnere e binjakëzimit, ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e statistikës së llogarive financiare. Ky është një përfitim i rëndësishëm i projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, i cili do të kontribuojë në Bankën Popullore për një proces të shpejtë, efikas dhe sistematik për përgatitjen e të dhënave dhe transmetimin e tyre në institucionet evropiane.“ - tha Bojçeva-Terzijan.
Prezantimi u pasua nga një diskutim, në të cilin përveç disa çështjeve, përfshirë edhe shpjegimet metodologjike lidhur me llogaritë financiare, gjithashtu u theksua se të dhënat e reja dhe të pasuruara, përveç mundësimit të vendimeve më të mira të bazuara në prova në më shumë fusha, do të jenë jashtëzakonisht të rëndësishme për kërkimet akademike. Ajo, edhe një herë konfirmon se përfitimet nga projekti i binjakëzimit i financuar nga Bashkimi Evropian sjellin përfitime për ekonominë në tërësi, dhe kështu për të gjithë qytetarët.
Ndryshe, projekti i binjakëzimit „Forcimi i kapacitetit institucional të Bankës Popullore në rrugën drejt anëtarësimit të saj në SEBQ“ është në fazën përfundimtare. Në të, përveç statistikës së llogarive financiare, komponentë të veçantë të projektit u dedikohen shërbimeve dhe sistemeve të pagesave, aktiviteteve në fushën e rregulaltivës dhe mbikëqyrjes së bankave dhe kërkimit.