Shkup, 18 maj 2025
"Banka Popullore ka punuar me përkushtim gjatë periudhës së kaluar dhe ka zbatuar procese të rëndësishme reformash për ngritje të tregjeve financiare vendase. Në të ardhmen,do të mbetet nxitës dhe mbështetës aktiv i proceseve të reformës për avancimin e tregjeve financiare vendase, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha shoqatat përkatëse bankare, institucionet shtetërore dhe palët e tjera të interesuara në tregjet financiare vendase. Qëllimi ynë është të krijojmë mjedis financiar më të sigurt, më efikas dhe më konkurrues, i cili do të mbështesë rritjen ekonomike dhe do të kontribuojë në prosperitetin e vendit tonë." Këtë e theksoi viceguvernatorja Emilija Nacevska në fjalimin e saj përshëndetës në Asamblenë Vjetore të 30-vjetorit të Shoqatës së Tregjeve Financiare – ACI Maqedoni.
Tregjet financiare vendase janë hallka kyçe në zbatimin e politikës monetare, prandaj Banka Popullore, që nga pavarësia monetare, ka bashkëpunuar në mënyrë aktive me bankat me qëllim krijimin e tregut valutor dhe monetar funksional, likuid dhe transparent. Në të njëjtën kohë, Banka Popullore mbështet në mënyrë aktive tregun primar për letrat me vlerë të qeverisë, mbi të cilin është krijuar e ashtuquajtura kurbë e normës së kthimit pa rrezik, e rëndësishme për zhvillimin e segmenteve të tjera të tregjeve financiare, ndërsa krijon edhe tregun sekondar për letrat me vlerë të qeverisë. Krijimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm i këtyre tregjeve mundësoi zbatimin efikas të politikës së ndërhyrjes së Bankës Popullore për të ruajtur stabilitetin e kursit të këmbimit të monedhës vendase, transmetimin më efikas të sinjaleve të politikës monetare dhe huamarrjen më të sigurt dhe më të lirë të mjeteve financiare midis pjesëmarrësve në treg. E gjithë kjo kontribuoi në forcimin gradual dhe ruajtjen e stabilitetit të sektorit financiar vendas me qëllim mbështetjen e vazhdueshme të aktivitetit ekonomik të kompanive dhe amvisërive.
“Në kontekstin e zhvillimeve më të gjera në sektorin financiar, do të doja të theksoja arritjen e rëndësishme të këtij viti, e cila pasqyron angazhimin e përbashkët të Bankës Popullore, bankave dhe institucioneve të tjera përkatëse, pranimin e vendit tonë në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA). Për qytetarët, kompanitë dhe institucionet, kjo do të thotë mundësi për të rritur nivelin e cilësisë dhe stabilitetit financiar, gjë që do të forcojë më tej mjedisin e përgjithshëm ekonomik, duke hapur hapësirë për zhvillim të mëtejshëm dhe thellim të tregtisë në tregjet vendase, por edhe ndërkombëtare", theksoi viceguvernatorja Nacevska në fjalimin e saj.
Në këtë drejtim, u theksua se Banka Popullore monitoron në mënyrë aktive procesin e përgatitjes së bankave për t'u bashkuar me skemën e transferimit të kredisë në SEPA, duke ofruar mbështetje të vazhdueshme teknike dhe profesionale. "Edhe pse procesi është i gjatë dhe data më e hershme për pranimin e bankave nga shtetet e reja anëtare është 6 tetori 2025, kam kënaqësinë të ndaj me ju se një bankë ka paraqitur tashmë kërkesë për anëtarësim në Këshillin Europian të Pagesave dhe shumica e bankave janë në fazë të avancuar përgatitjeje. Ky është sinjal i qartë se jemi në rrugën e duhur – me qasje të përgjegjshme, vizion strategjik dhe bashkëpunim midis institucioneve – për t’u integruar në mënyrë të barabartë në hapësirën financiare europiane.” theksoi Nacevska.
Bashkëpunimi i Bankës Popullore me ACI Maqedoni daton që nga fillimet e shoqatës në vitin 1996, e cila u themelua me iniciativën dhe mbështetjen e Bankës Popullore. Shoqata ACI Maqedoni bashkon përfaqësues të sektorit bankar që punojnë në tregjet financiare vendase dhe përfaqëson platformë për zhvillimin e marrëdhënieve të mira profesionale, rritjen e besimit të ndërsjellë, shkëmbimin e përvojave dhe edukimin e vazhdueshëm profesional të punonjësve në sektorin bankar. Në vitin 2001, shoqata u bë pjesë e familjes ndërkombëtare të shoqatave të punonjësve të bankave në tregjet financiare, e cila këtë vit feston gjithashtu përvjetor të rëndësishëm, pra 70 vjet ekzistencë. Edukimi dhe promovimi i sjelljes etike të këtij segmenti të profesionistëve bankarë do të vazhdojë të jetë në fokus të aktiviteteve të Bankës Popullore si partner i Shoqatës ACI Maqedoni.