Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut (BPRMV) e përshtat pozicionimin e politikës monetare, për të siguruar ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, si një qëllim kryesor monetar i definuar ligjërisht. Për përmbushjen e qëllimit kryesor, Banka Popullore aplikon strategji monetare duke synuar kursin valutor nominal të denarit në raport me euron. Përveç stabilitetit të çmimeve, Banka Popullore kujdeset edhe për mirëmbajtjen e stabilitetit financiar në vend, si qëllim i dytë ligjor, vartëse e qëllimit parësor. Kjo do të thotë se gjatë definimit dhe miratimit të masave monetare, Banka Popullore përpiqet që ata të kontribuojnë edhe për ruajtjen e një sistemi financiar stabil dhe konkurrent të orientuar kah tregu. Banka Popullore përkrah edhe politikën e përgjithshme ekonomike duke mos e rrezikuar përmbushjen e qëllimit parësor dhe në pajtueshmëri me principin për ekonomi të hapur të tregut me konkurrencë të lire.

Për arsye të përmbushjes së qëllimeve monetare, Banka Popullore disponon me instrumente të ndryshme për rregullim monetar. Instrumenti kryesor dhe më i rëndësishëm i politikës monetare është norma bazë e interesit të Bankës Popullore, ajo është norma e interesit të bonove të bankës qendrore. Banka Popullore miraton vendime për nivelin e normës bazë të interesit në baza të rregullta mujore. Kjo do të thotë se Banka Popullore, në baza të rregullta mujore, i analizon të dhënat e fundit të disponueshme për treguesit kyç makroekonomik dhe financiar dhe rëndësinë e tyre në kuadër të projeksioneve aktuale makroekonomike. Gjithashtu, i vlerëson edhe rreziqet dhe mundësinë e përmbushjes së tyre dhe në bazë të të gjitha këtyre informacioneve, bën vlerësimin për ndikimet ndaj pozicionimit të politikës monetare.

Vendimet për nivelin e normës bazë të interesit publikohen përmes njoftimeve për publikun në faqen zyrtare të Bankës Popullore. Njoftimi përmban një pasqyrë të shkurtër të sistematizuar të faktorëve kyç dhe mendimeve të cilat janë marr parasysh gjatë sjelljes së vendimit konkret. Informacione më të hollësishme për pikëpamjet dhe vlerësimet e Bankës Popullore lidhur me procesin e sjelljes së vendimeve monetare, mund të gjenden brenda dy raporteve të ndryshme, Raporti Tremujor i Bankës Popullore dhe Treguesit më të ri makroekonomikë– Pasqyrë e gjendjes aktuale. Analizat e paraqitura në këto dy raporte e formojnë bazën e informacioneve të cilat përdoren gjatë sjelljes së vendimeve monetare, dhe janë të publikuara për publikun më të gjerë. Me publikimin e tyre, Banka Popullore përpiqet të kontribuojë që më lehtë të kuptohet procesi i sjelljes së vendimeve monetare nga publiku më i gjerë, përcjellje më efikase dhe transmetim më efektiv monetar. Raporti tremujor përgatitet dhe publikohet katër here në vit. Raporti tremujor përmban analizë të zhvillimeve më të fundit makroekonomike, e përpunon pozicionimin e politikës monetare për tremujorët përkatës dhe faktorët të cilët ndikojnë në atë dhe përfshin edhe shtojca me analiza kushtuar temave aktuale nga fusha e makroekonomisë, financave dhe politika monetare. Elementi kyç dhe bartës i Raportit janë projeksionet makroekonomike, si një vegël e rëndësishme në sjelljen e vendimeve makroekonomike. Për tetë mbledhjet tjera në të cilat shqyrtohet pozicionimi i politikës monetare gjatë një viti kalendarik përgatitet dhe publikohet raporti Treguesit më të ri makroekonomikë – Pasqyrë e vitit aktual. Ky raport I analizon informacionet më të reja për zhvillimet makroekonomike në vend dhe jashtë dhe ndikimet e tyre mbi mjedisin e vlerësuar makroekonomik, në përputhshmëri me ciklin e fundit të projeksioneve makroekonomike, si dhe mbi pozicionimin e politikës monetare të Bankës Popullore. Në procesin e vendimmarrjes monetare, Banka Popullore përdor më shumë analiza shtesë dhe raporte, të cilat janë të karakterit të brendshëm dhe rregullisht përgatiten për nevojat e Bankës Popullore.