
Guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bezhoska mbajti prezantimin e parë profesional në edicionin vjetor të konferencës „Erste Inestors’ Breakfast“, të cilën tradicionalisht e organizojnë Erste Banka dhe Shparkase Banka Maqedoni. Gjatë prezantimit, ajo foli rreth rolit të politikës monetare në procesin e konvergjencës reale të ekonomive të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, përfshirë këtu edhe ekonominë tonë.
Ndër të tjera, Angelovska-Bezhoska theksoi se në periudhën pas krizës financiare globale, bankat qendrore në të gjithë vendet e rajonit, përfshirë edhe vendin tonë, përmes politikës së tyre ekspansive dhanë një kontribut të rëndësishëm për përshpejtimin e rritjes dhe konvergjencës së ekonomive. Siç theksoi ajo, reduktimi i normave bazë të interesit dhe sigurimi i likuiditetit shtesë kontribuuan për lehtësim të kushteve për kreditim, dhe në këtë mënyrë mundësuan qasje më të lehtë në financa. Kjo përshtatje e politikave monetare, sipas prezantimit të guvernatores, veçanërisht në vendet me një kurs fiks të këmbimit, pjesërisht u mundësua nga politika e relaksuar e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), e cila pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
„Megjithatë, hapësira për mbështetje të drejtpërdrejtë të rritjes ekonomike përmes politikës monetare në rajon është ngushtuar, në kushte të normave tanimë të ulëta të interesit dhe shtrirjes së ngushtë të normave të interesit në raport me interesin e BQE-së, por edhe në kushte të pasigurisë së rritur globale.“ - theksoi Angelovska-Bezhoska. Në përfundim të prezantimit, ajo theksoi se për të arritur përshpejtimin e nevojshëm të konvergjencës reale, nevojitet që në të ardhmen të përqendrohemi në reformat strukturore dhe institucionale që do të mundësojnë rritje më të shpejtë dhe të qëndrueshme ekonomike në rajon.
Përndryshe, në edicionin e sivjetshëm, i shtati me radhë i konferencës „Erste Investors’ Breakfast“, fjalët hyrëse mbajtën edhe ministrja e Financave, Nina Angelovska dhe presidenti i Bordit të Drejtorëve të Shparkase Banka Makedonija, Gligor Bishev. Në ngjarje morën pjesë analistë dhe ekspertë nga Grupacioni Erste dhe Shparkase, si dhe ekspertë dhe analistë të sektorit financiar vendas dhe përfaqësues të rregullatorëve financiar. Ata, përmes prezantimeve dhe në kuadër të diskutimeve i prezantuan analizat dhe vlerësimet e tyre për tendencat aktuale në sferën financiare në nivel global dhe rajonal, me theks të veçantë për ekonominë tonë.
